LSI: Edi Rama ushtron presion mbi median
Edi Rama, top censura. Ky është përkufizimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, një ditë pasi gazetari i njohur, Alfred Peza, akuzoi direkt kryetarin e PS-së dhe të Bashkisë së Tiranës se ushtron presion ndaj medias. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, tha se “denoncimet publike të drejtuesve të mediave dhe konkretisht ato që bëri dje në emisionin “Top Story”, drejtori i televizionit Ora News, analisti i njohur z. Alfred Peza, janë dëshmi të presionit skandaloz, të turpshëm të censurës së paskrupullt që Edi Rama ushtron mbi fjalën e lirë dhe median e pavarur, ndryshe ndaj medias së pakontrolluar prej tij”. Madje ai shtoi se Edi Rama tashmë i njohur për top-aferat betonizuese të Tiranës, po bëhet edhe shembulli i top-censurës më të madhe në Shqipëri. Drejtori i televizionit Ora News, Alfred Peza, deklaroi dy ditë më parë në emisionin “Top Story”, në një studio ku ndodheshin dhe drejtues të mediave të tjera elektronike, se Edi Rama ka ndërhyrë përmes kontakteve të ndryshme, direkte apo indirekte për të ndikuar mbi politikat editoriale, kronika të ndryshme, në favor të PS-së apo edhe të bashkisë. Në fakt, ky është një fenomen i njohur, veçse gazetari Peza është i pari që e artikuloi publikisht. Përveç drejtuesve të mediave, e sidomos ajo elektronike për të cilën kreu i PS-së tregon kujdes në mënyrë që të transmetohet një imazh sa më pozitiv edhe gazetarët e terrenit janë ndeshur herë pas here me ndërhyrjet e kryesocialistit. Në të shumtën e rasteve, kryetari i kësaj partie nuk ka pranuar pyetje dhe në rastin tjetër, atëherë kur pranohen pyetjet, duhet me patjetër të lidhen me çështjen që flet Rama. Zakonisht, vetëm kur takimi përkufizohet si bashkëbisedim me gazetarët, atëherë mundësia për të bërë pyetje për çështje të ndryshme është më e madhe. Përveç kësaj, në tre vjet në krye të PS-së, Rama është akuzuar për censurë edhe brenda partisë. Rasti më tipik është ai i ish-deputetit socialist, Petro Koçi, i cili për disa muaj nuk arrinte dot të vendoste emrin në listën e deputetëve të grupit parlamentar të PS-së për të folur në Kuvend, sepse, sipas tij, Rama dha urdhër që të mos lejohej. Nga ana tjetër, duhet përmendur edhe kodi i etikës, të cilën PS-ja u mundua që ta miratonte në muajin shtator të vitit të kaluar, ku disa nene mbeten ende në kujtesë për shkak se të gjithë deputetët më parë duhej të merrnin leje te sekretari për çështjet përkatëse para se të komunikonin me mediat. Për shkak të reagimit të ashpër, kodi u tërhoq shumë shpejt.