E Shtunë, 31 Tetor 2026

800.000 lekët e Hafizit dhe presidentët

Kur Hoze Murinjon e shkarkuan nga drejtimi i Celsit gati një vit më parë pas barazimit me Rozenborgun në Ligën e Kampioneve, të gjithë e konsideronin një i "papunë luksi", pasi miliarderi rus Roman Abramovic bashkë me nënshkrimin e largimit të tij, kishte hedhur "të zezën mbi të bardhë" edhe në një cek me diferencën e shumës që i detyrohej "Special One" për prishje kontrate. Pas shumë muajsh si dhuratë i dërgoi edhe një "Ferrari", nga ajo seri që në botë janë prodhuar vetëm 30 të tilla.
Gjithsesi, shkrimi nuk ka të bëjë me portugezin e punësuar si trajner i Interit, kampiones së 16-fishtë së Italisë. Por, me Astrit Hafizin, ish-trajnerin e Tiranës, i cili morri detyrën te 23-herë kampionët e Shqipërisë, pas shkarkimit të Sulejman Starovës.
Edhe ish-trajneri i Kombëtares, shkodrani Hafizi, nuk e pati të gjatë, pasi pas disa muajsh ia la vendin Sulejman Memës, i cili për fat të keq nuk arriti t'i sigurojë asnjë nga dy trofetë, edhe pse në Kupën e Shqipërisë, Tirana ishte në finale.
E gjithë kjo hyrje ka të bëjë me një risi. Astrit Hafizi po vendos një standard në Shqipëri. Në botën e "mistershme" të trajnerit. Të atyre që merren dhe shkarkohen me një bisedë telefonike.
Por Hafizi, një njeri i letrave, për më tepër te Tirana, një klub shumë mirë i organizuar, ka mundur të fusë në xhep me një vendim të Komisionit të Disiplinës, 800.000 lekë, (ose dy rrogat e prapambetura). Një e drejtë e tij. Legjitime.
"Pranimin e kërkesës të ish-trajnerit Astrit Hafizi të KF ‘Tirana', që bën detyrimin e sponsorit të KF ‘Tirana' të paguajë 2 (dy) rroga mujore me shumën totale 800.000 leke, në bazë të pikave 3.4 të kapitullit ‘Detyrimet e klubit' të kontratës datë e 25.09.2007, që ka KF ‘Tirana' me trajnerin Astrit Hafizi". shkruhet në vendimin e Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së.
Natyrshëm, që Hafizi pasi priti vendosi të marrë paratë e tij me një ankesë e kërkesë njëkohësisht në tempullin me shumë labirinte të futbollit shqiptar. Tashmë Astriti do të marrë paratë e tij, ose më saktë të diferencës së papaguar nga kontrata që ka nënshkruar me klubin më të pasur në Shqipëri.
Një shumë, që do të vendosë edhe standardin e ri. Që do t'i bëjë më të matur trajnerët kur të pranojnë punësimin (shpesh të përkohshëm), por dhe më shumë presidentët (shpesh të nxituar) kur të marrin vendimin e largimit me celular të trajnerëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›