E Shtunë, 31 Tetor 2026

“21 Janari”, Ina Rama: Tre deputetë në hetim, arma e Prendit vrau

Sipas zonjës Rama, nga pistoleta e Prendit janë qitur 11 plumba, nga të cilët një ka qëlluar demonstruesin Faik Myrtaj, ndërsa të tjerë janë goditur në pemë.

“Nga aktet e ekzaminimeve balistike të kryera si në  laboratorin e Kriminalistikës në Tiranë, ashtu edhe në laboratorët e kriminalistikës së FBI në SHBA, rezulton e provuar tej çdo dyshimi se nga arma personale e shtetasit Ndrea Prendi, pistoletë tip Beretta e kalibrit 9 mm dhe me numër P52796Z, janë realizuar 11 qitje në drejtim të turmës. Një nga predhat që është qitur nga arma e shtetasit Ndrea Prendi, ka shkaktuar vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj”, theksoi kryeprokurorja.

Ajo shtoi se Prokuroria ka hetuar edhe fshirjen e pamjeve filmime. “Gjithashtu, Prokuroria ka hetuar edhe në drejtim të fshirjes së pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë të Këshillit të Ministrave.  Ekzaminimet më të specializuara të lobaratorëve të FBI-së, konfirmuan përtej çdo dyshimi se në datë 21.01.2011, nga ora 19:24’ deri 19:36’, nga pajisja regjistruese e këtij sistemi, janë kopjuar të dhënat e regjistruara duke i hedhur në një pajisje të jashtme, (që mund të jetë Hard Disd, USB, DVD dhe DVD-Writer). Në momentin që kanë ndodhur ngjarjet, kanë qenë në punë 11 kamera, të cilat kanë qenë të programuara të kryejnë filmime të cilësisë së lartë. Filmimet e regjistruara nuk u vunë dhe janë vënë ende në funksion të hetimit të Prokurorisë, dhe në dt. 22 janar 2011, ora 00.51, pajisjes i është bërë formatim të Hard Diskut duke fshirë kështu çdo regjistrim që kish bërë deri në atë kohë (përfishrë dhe filmimet e ngjarjeve gjatë protestës)”, vijoi më tej Ina Rama. Sipas saj, këta persona paraqiten si me rrezik për qetësinë publike ndaj duhet të arrestohen.

Hetim për tre deputetë të Partisë Socialiste

Kryeprokurorja Rama, tha se duhet të vazhdojnë hetimet edhe ndaj personave që janë përfshirë në demonstratë. Ajo përmendi këtu kërkesën e bërë sot ndaj Kuvendit të Shqipërisë për të marrë lejen për hetimin e tre deputetëve të PS-së. “Për të sqaruar plotësisht pozicionin e deputetëve Besnik Baraj, Tom Doshi dhe Taulant Balla në raport me ngjarjet e datës 21.01.2011, për veprën penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, lind e domosdoshme kryerja e disa veprimeve hetimore ndaj tyre. Për këto arsye, Prokuroria e Përgjithshme, i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë sot, më datë 23.01.2012, dhënien e autorizimit për procedim të këtyre deputetëve”, nënvizoi. 

Ajo shtoi se duhet të vazhdojnë hetimet nëse veprimet e dhunshme kanë qenë të organizuara dhe nëse po, cilët ishin organizatorët. “Organi i akuzës ka kryer veprime hetimore për të zbardhur nëse personat që kanë kryer veprime të dhunshme kanë qenë të organizuar dhe nëse po zbardhjen e identitetit të tyre.  Prokuroria e Tiranës, relacion përfundimtar duke kërkuar pezullim të hetimeve për manifestime të paligjshme, pasi sipas tyre janë kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore dhe nuk kanë mundur të zbulojnë organizatorët”, vijoi. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-01-23 16:49
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›