E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dixhitalizimi i regjistrimit të tokës, themelor në Shqipëri”

Në vijim të diskutimeve mbi projektin e dixhitalizimit të regjistrit të tokës, Task Forca miratoi rregulloren për procedurat dhe kushtet për kryerjen e ndryshimeve dhe shtesave të funksioneve në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme.
     
Kryeministri Berisha theksoi se pas regjistrit të gjendjes civile, projekti i dixhitalizimit të regjistrit të tokës është projekti më themelor, sot, në Shqipëri.
     
Natyrisht, u shpreh Kryeministri, "ky regjistrim është njëkohësisht edhe regjistri më i komplikuar dhe si i tillë kërkon sërish monitorimin më të rreptë dhe vëmendjen më të madhe".
     
Kryeministri Berisha kërkoi shpejtimin e ritmeve të projektit të regjistrimit, duke nënvizuar se përvoja e deritanishme e bën plotësisht të mundshme përfundimin e shpejtë të këtij procesi. Kryeministri tha se ritmi i procesit nuk duhet të cenohet nga periudha e pushimeve të administratës, në muajin gusht.
     
Lidhur me rregulloren e miratuar, Kryeministri Berisha e konsideroi atë të një rëndësie kapitale, pasi “garanton paprekshmërinë dhe stabilitetin e këtij sistemi; përcakton mekanizmin ligjor të funksionimit të sistemit; përcakton rregullat bazë që do të respektohen me rigorozitet të madh nga të gjithë punonjësit; garanton transparencën e plotë të funksionimit dhe parandalon çdo ndërhyrje të pamotivuar ligjërisht në sistem"./Start/

                                                                                             2012-07-14 08:55
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›