Reforma zgjedhore PDIU shpreh pakenaqesi ndaj marreveshjes PS- PD
Pas marrëveshjes së arritur mes PD-së dhe PS-së për reformën elektorale, PDIU shprehet e indinjuar lidhur me një reformë të tillë, që sipas saj është gatuar nga duopoli PD-PS. Në vlerësimin e PDIU-së, kjo reformë, e cila për nga natyra e procesit të reformës, por edhe nga rezultati, është një vazhdimësi e ujdive të bëra gjatë dy dekadave të fundit të pluralizmit shqiptar dhe nuk sjell asnjë përmirësim thelbësor në institucionin themelor të demokracisë, atë të zgjedhjeve.
“Ne shprehim keqardhjen e thellë që kjo reformë nuk nxori mësim nga pësimet e mëparshme të zgjedhjeve shqiptare, por ishte një tjetër allish-verish që thjesht përpiqet t’u hedhë hi në sy ndërkombëtarëve. Ajo nuk ndryshoi sistemin e pandershëm zgjedhor që kufizon konkurrencën politike dhe e vështirëson futjen e aktorëve dhe faktorëve të rinj në garën politike duke bllokuar pluralizmin dhe qarkullimin e elitave në vendin tonë. Kjo marrëveshje nuk solli ndryshime cilësore në mënyrën e administrimit të procesit zgjedhor, përkundrazi, konsolidoi praktikat famëkeqe të deritanishme, duke bërë të sigurtë që kalvari i mundimshëm i zgjedhjeve në Shqipëri të vazhdojë. Në mënyrë të veçantë ne shprehim rezerva për faktin që ende procesi zgjedhor do të lihet në dorë të përfaqësuesve politike dhe sërish nuk do të administrohet në mënyrë profesionale nën garancinë e ligjit duke shkuar ndesh me një nga kriteret themelorë të Kopenhagenit për integrimin evropian që është sundimi i ligjit. Fatkeqësisht kjo formë primitive e organizimit të zgjedhjeve për të cilën kanë rënë dakord PD dhe PS është një recetë e sigurtë që garanton vetëm në vend numëro në procesin e integrimit”, vlerësohet në deklaratën për shtyp të kësaj force parlamentare.
Në njoftimin e PDIU thuhet se “në të tilla kushte me hidhërim mund të thuhet me siguri të lartë që mot kemi për të patur përsëri një palë zgjedhje të tjera të kontestuara që kanë për tu organizuar në kushtet e një klime konfliktuale, me numërime të tejzgjatura që kanë për ta damkosur edhe më keq Shqipërinë në sytë e mbarë Evropës.