Zedhenesi i KE pershendet miratimin e reformes elektorale

Komisioneri Stefan Fyle përmes zëdhënësit të tij, përshëndet miratimin e reformës elektorale dhe nxit palët të aprovojnë pa humbur kohë heqjen e imuniteteve.
"Në emër të komisionerit Stefan Fyle, mund të them, se lajmi për reformën elektorale është lajm i mirë, është një hap i mirëpritur. Të dyja forcat politike, mazhoranca dhe opozita duhet të përgëzohen për këtë. Nëse kjo reformë do të aprovohet në seancë plenare javën e ardhshme, do të jetë një hap i rëndësishëm në përmbushjen e elementit kyç të paketës së nëntorit. Reforma elektorale përbën një nga rekomandimet kryesore kyçe të Komisionit Europian për Shqipërinë. Por jo vetëm. Ajo është shumë e rëndësishme edhe për zhvillimin e proçesit zgjedhor të vitit të ardhshëm. Ndaj, është një lajm i mirë”, vuri në dukje zëdhënësi i KE-së, Peter Stano.
Njëkohësisht ai apeloi për përmbushjen e rekomandimeve të BE-së.
“Ne nxisim forcat politike, që të vazhdojnë punën në këtë frymë dialogu dhe kompromisi, në mënyrë që të përmbushen të gjitha rekomandimet e bëra nga Komisioni dhe ato të përfshihen në opinionin e tetorit mbi progresin e Shqipërisë për integrimin e saj europian. Një nga hapat e shumëpritura në këtë drejtim do tê ishte miratimi i heqjes së imuniteteve. Ndaj Komisioni i nxit forcat politike të avancojnë më tej në frymën e dialogut dhe kompromisit”, vlerësoi Stano, sa i takon kësaj çështje.