E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama konfirmoi bashkëpunimin e tij me trupën e Gjykatës Kushtetuese”

Sulmet selektive të kryesocialistit ndaj sistemit gjyqësor, reagon PDSulmet që Edi Rama bëri dje nga Durrësi për sistemin gjyqësor në vend, por pa përmendur Gjykatën Kushtetuese, tregon qartë lidhjet e tij bashkëpunuese me këtë trupë gjyqësore, që i kthen vendimet në favor të klikës ‘pro’ komuniste, e udhëhequr nga bllokmenët e rinj e të vjetër. Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, u shpreh se kryetari i opozitës Edi Rama, shqiptoi një tjetër akuzë të paprecedentë në historinë e politikës moderne shqiptare. “Ai akuzoi gjithë pushtetin gjyqësor shqiptar, gjykatat e prokurorinë si të korruptuar dhe nga kjo damkë hoqi veçmas trupën e gjykatës Kushtetuese. Kësisoj, ai rikonfirmoi dhe njëherë bashkëpunimin e hershëm të tij dhe familjes së tij me shume prej eksponentëve të kësaj trupe gjykuese. Duhet t’ju rikujtojmë se dënimi me varje i Havzi Nelës bart mbi vete firmën e eksponentëve të gjykatës Kushtetuese por edhe firmën e Kristaq Ramës, babait të kryetarit të opozitës Edi Ramës. Ky bashkëpunim kriminal i gjeneratave të dikurshme në dënimin e dhjetëra intelektualëve shqiptarë, sot është rikthyer para syve të gjithë shqiptarëve. Pinjollët e ekzekutuesve sot guxojnë të akuzojnë e të ndotin gjithë pushtetin e tretë, pushtetin e gjyqësorit e të akuzës, dhe nga kjo baltë mënjanojnë veç bashkëpunëtorët e tyre të dikurshëm në krim”, u shpreh Doda. Ajo konfirmoi se Partia Demokratike do vazhdojë të drejtojë e të punojë duke respektuar vendimet e gjykatave shqiptare dhe punën e pushtetit të tretë duke qenë e vetëdijshme se respekton njëherazi një prej shtyllave të shtetit demokratik.“Rikonfirmoj para jush gjithë vendosmërinë dhe këmbënguljen tonë për të ndarë njëherë e mirë historinë e shkuar e kriminale të Shqipërisë nga e sotmja dhe e ardhmja e fëmijëve tanë. Theksoj se referendumi popullor për këtë çështje madhore është hapi i sigurt dhe demokratik që do realizojmë dhe që do ndajë njëherë e përgjithmonë krimin nga gjykimi, nga akuza, nga politika e nga drejtimi”, deklaroi ajo. Deputetja e Partisë Demokratike, vuri në dukje se askush nga ekzekutorët apo dënuesit e dikurshëm nuk do mund të shpëtojnë nga verdikti popullor, i cili do japë përfundimisht pozicionin e merituar për këta punistë që ende sot këmbëngulën të mbeten në pozita drejtimi në majat e pushtetit gjyqësor. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›