E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku me kohë të plotë i kutisë, vazhdon politikat antizhvillim

Denoncon deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska
Partia Demokratike akuzoi dje kryebashkiakun Edi Rama se është kthyer në një kryetar me kohë të plotë i kutive, ndërsa pjesërisht kujdeset për detyrimet ndaj komunitetit. Deputetja e selisë blu, Lajla Përnaska, u shpreh se Edi Rama është i vetmi kryetar bashkie në Botë, që aplikon politika antizhvillim, duke lënë në mëshirë të fatit dhjetëra rrugë në mbarë kryeqytetin, të cilat kanë arritur shkallën maksimale të amortizimit, ndërsa nuk ka asnjë projekt për dy sheshet kryesore në vend, atë “Skënderbej” dhe “Nënë Tereza”.“Si banore dhe si deputete e qarkut të Tiranës, dua të denoncoj edhe njëherë sot para jush pa përgjegjshmërinë kronike të kryetarit të bashkisë, zotit Edi Rama, në përmbushjen e detyrave dhe nevojave më minimale, më të domosdoshme dhe më jetike të mirë zhvillimit dhe mirëfunksionimit të kryeqytetit tonë. Edhe pse i zgjedhur me votën e qytetarëve, zoti Rama prej kohësh e ka nëpërkëmbur besimin e tyre, ka braktisur interesat e tyre dhe ka zgjedhur të jetë një kryetar bashkie i munguar apo ambulant, madje më së fundi, po me vullnetin e tij, ka fituar tashmë një status të ri: atë kryetarit me kohë të plotë të kutisë dhe herë pas herë ose aspak kryetar i bashkisë”, u shpreh deputetja Përnaska. Sipas saj, me qeverisjen e tij vendore Edi Rama ka prodhuar tashmë një nga modelet më të deformuara të kësaj qeverisjeje: modelin e rrugëve të paasfaltuara ose të lëna në mes; modelin e lënies së sheshit qendror të kryeqytetit me gropa si mos më keq; modelin e mbytjes nga pluhuri në periudhë të nxehtë dhe e vërshimit të ujërave në periudhë me reshje ashtu siç ndodhi edhe gjatë paradites së sotme (dje) në disa nga lagjet e Tiranës, në veçanti në lagjen Don Bosko; modelin e mungesës së një plani të domosdoshëm dhe themelor të mirë zhvillimit dhe urbanizimit të kryeqytetit.“Ky kapitull keqqeverisjeje mund të mbyllet dhe të përfundojë njëherë e përgjithmonë me largimin e zotit Edi Rama nga detyra shumë e rëndësishme e kryetarit të bashkisë dhe me rikthimin e vlerave, traditave më të mira drejtuese, ashtu siç e meriton Tirana, ashtu siç e meriton çdo banor i saj”, deklaroi më tej, deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›