Edi Rama kërkon koefiçentët e mbijetesës politike, nëse tenton protestat me dhunë
Një gjë është e qartë. Përfundimisht Partia Socialiste është e vendosur të mos e zbatojë rezolutën e KiE, për Shqipërinë. Tenton ti kthejë bisedimet akoma pa nisur në një miazmë për të infektuar demokracinë me krizë të pakuptueshme. Asaj në asnjë mënyrë nuk i intereson të bëjë transparencë të zgjedhjeve, por kërkon me ngulm shpërblim për bojkotin pa kufi dhe - po u erdhi fati - të fitojnë pushtetin në tavolinë duke e kthyer vendin në një moçalishte. Afërmendsh në mos në tavolinë, njoftojnë se do ta rrëzojnë me dhunë. Padyshim kjo është e pamundur. Kësisoj qëndrimet politike të opozitës sakrifikohen të jenë të shthurura politikisht, pasi nuk mund të kërkosh uljen në një tryezë dialogu dhe të vësh kushte të papranueshme për kundërshtarin politik. Nëse vë kushte, përse ulesh të bisedosh, apo do pish kafe dhe të bëfsha kupën? Gjithmonë negociatat kanë qenë një art për politikanët e karrierës, kurse në rastin e sotëm kemi një problem, që quhet Edi Rama, një a-politikan tipik. Dhe problemi nuk është se një a-politikan nuk di të bëjë politikë, por këtu po flasim për negociata dialogu, do ut des, më jep të jap. Pra, kërkohen njerëz të arsyeshëm, për lëshime të logjikshme, për moscenime kushtetuese, etj. Megjithatë një gjë kanë interesante konferencat e përditshme për shtyp të PS, të gjitha ngjasojnë çuditërisht me garat e atletikës me stafetë: ku në çdo ditë stafetë-hartimi i kalon një tjetër personi. Kësaj radhe në PS hartimi i takoi për tu rrokjezuar furishëm Blendi Klosit. Krejt si në një bast të sektorit organizativ, sekretari i Edvinit doli në konferencë për shtyp, duke konfirmuar bastin e Ramës, i cili është i bazuar në bllofe, pra në pritjen që skuadra kundërshtare të humbë pa pritur në tavolinë. Partia Socialiste është plotepërplot me vese në shtëpi, virtyte në publik. është ordinere në historinë politikë-hipokrite shqiptare, ndërsa për kumaraxhijtë e politikës kjo është tipike, është fakt. Përtej metaforës së futbollit, gjithçka shfaqet aktuale, sepse është rinxjerrë nga I Papranueshmi Rama, njëherësh edhe shkaktari kryesor i situatës konfliktuale në vend. Altoparlantët e PS vijojnë të përsëritin çdo gjë që është stërthënë këto 5 muaj bojkot të parlamentit. Mirëpo Blendi Klosi nuk nguroi për të lexuar dozën kërcënuese të përhershme në kësisoj rastesh për kryeministrin e vendit. Mandej kuptohet vetiu se kërcënimi i djeshëm i Blendi Klosit ishte porositur të riformulohej fiks ashtu nga bookmaker-i i tij, egoarku Rama. Konfuzioni politik i opozitës është disi i paparashikueshëm, pasi spo merret vesh se kush po i dikton negociatat në opozitë. Në debate publike-mediatike, opinione, intervista apo deklarata mediatike më shumë dalin ata politikanë që kanë për të humbur çdo gjë, qoftë edhe dinjitetin, pasi skanë asgjë. Nuk kuptohet përse figurantët sekondarë si Ngjela, Ndoka, Veliaj, Gjinushi e Milo deklarohen për protesta të mëtejshme, për bojkot deri në rrëzim të qeverisë apo për dënim të komisionerëve të PS që nuk mbrojtën votën. Ndërkaq dallimi kryesor që kanë dy partitë politike në vend janë shikimi nga zgjedhjet. Shumë herë kryeministri Berisha është prononcuar për aspiratën për të fituar mandatin e tretë apo të katërt pas 2013 e më pas; kurse Edi Rama ka mbetur në traumën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Dhe kompleksimi personal ndaj zgjedhjeve vjen ngaqë përtej Tiranës gjendet në vështirësi politike. Gjithçka vjen nga profili lokalist i liderit socialist, i cili, në ndryshim me sistemin kapilar (edhe pse të korruptuar) të Fatos Nanos, ka një mungesë të theksuar kontrolli mbi territorin e Shqipërisë....