E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kult 2011”, 14 fituesit

Aktorja e vitit u zgjodh Eftiola Laçka për interpretimin e rolit të thjeshtrës në veprën e Çehovit “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, ndërsa aktori i vitit u zgjodh Bujar Asqeriu për rolin e doktor Gurametos në shfaqjen teatrore “Darka e gabuar”.

Mehmet Xhelili tërhoqi trofeun e regjisorit më të mirë për shfaqjen “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, Kujtim Gjonaj atë të filmit më të mirë të shkurtër për “Ëndrra e Çamërisë”, ndërsa Elton Cefa u zgjodh si balerini më i mirë.

Albumi muzikor i vitit “Pranga malli” nga Irma Libohova, u përzgjodh si më i miri i vitit, Inva Mula u vlerësua si interpretuesja lirike e vitit në shfaqjen “Përrallat e Ofmanit”.

Juria akordoi çmim edhe për artistin pamor të vitit, i cili i shkoi piktorit Pashk Përvathi për ekspozitën personale në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndërsa instrumentisti më i mirë u zgjodh pianistja Kristina (Petrollari) Laço.

Çmimi për librin studimor dhe enciklopedik i shkoi Pëllumb Xhufit për botimin “Shekulli i Voskopojës: (1669-1769)”, çmimin për librin artistik e mori Lindita Arapi për romanin “Vajzat me çelës në qafë”, ndërsa përkthyesja më e mirë u përzgjodh Jonila Godole për poemën “Elegji Duine” nga Rainer Maria Rilke.

Çmimet speciale u dhanë për kompozitorin e njohur Aleksandër Peçi, për gjithë krijimtarinë e tij të veçantë dhe kontributin në muzikën klasike shqiptare si dhe për përkthyesin Robert Shvarc, pas vdekjes.

Për të kurorëzuar fituesit u ngjitën në skenë 24 personalitete të njohur të artit dhe shkencës si Ermir Krantja, Yllka Mujo, Edmond Tupja, Muzafer Korkuti, David Tukiçi, Reshat Arbana, Eva Alikaj, Vasjan Lami, Llaqi Nako etj.

Spektakli u prezantua nga aktorët e njohur Enver Petrovci dhe Artan Imami, të cilët shfaqën dhe anë të tjera të talentit të tyre (Petrovci në kërcim dhe Imami në këngë). Performanca sollën dhe të ftuarit me pjesët e tyre artistike si, duetet e këngëtarëve të njohur Anjeza Shahini dhe Dren Abazi, Alban Skënderaj dhe Miriam Cani apo interpretimi i dy poezive, “Baladë qytetëse” nga Migjeni dhe “Dasmë e madhe” e Ali Asllanit, nga aktori Reshat Arbana.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-11-01 16:32
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›