E Shtunë, 31 Tetor 2026

“LDK-LDD ribashkohen nga Ukë Rugova”

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, konsideron se e ka gjetur formulën për bashkimin e dy subjekteve politike që thirren në trashëgiminë rugoviane: LDK-së dhe LDD-së. Këto dy parti, sipas tij, do të mund të bashkoheshin nëse nga udhëheqja e tyre largohen dy kryetarët aktualë, Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci, dhe në krye të tyre do të vinte djali i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, Uka.

Në një intervistë për portalin e lajmeve Infosot, Naser Rugova ka deklaruar se Ukë Rugova, jo vetëm se ka karakteristika dhe pamje që reflektojnë unitet, por gjithashtu është një personalitet i brezit të ri, i cili nuk ka ngarkesa, inate, konflikte dhe ego personale.

“Unë mendoj se njeriu që do t’i bashkonte në një trung LDK-në dhe LDD-në është Ukë Rugova. Një djalë i ri që është gjak i presidentit historik, Ibrahim Rugova; që është rritur dhe edukuar në frymë dhe filozofi politike të tillë, e që tani po mbaron studimet në SHBA”, ka thënë deputeti Rugova. Sipas tij, dy liderët aktualë të partive, duhet të pajtohen me faktin se trendët e rinj politikë ua imponojnë që të lëshojnë rrugë.

”Vetëdijesimi i të dy liderëve të dy partive dhe hapja drejt këtij koncepti do ta ndihmonte shumë Kosovën, në radhë të parë ecjen përpara të Kosovës dhe do ta unifikonte elektoratin rugovian dhe definitivisht do t’i kthehej dinjiteti edhe pjesës dërrmuese të elektoratit kosovar që filozofinë politike rugoviane e kanë në zemër, e kultivuan, u rritën me të dhe definitivisht, simboli vetëm unifikues i këtij elektorati do të ishte Ukë Rugova”, ka shtuar Naser Rugova.

Ai ka thënë se Uka ka trashëguar nga i ati karizmin, pamjen, tolerancën, durimin, urtësinë dhe qëndrueshmërinë.

Deputeti Rugova, megjithatë, nuk pret që të bëhen lëvizje të shpejta brenda dy subjekteve që janë ndarë pas Kuvendit VI Zgjedhor të LDK-së. Si hap i parë drejt bashkimit, sipas tij, do të ishte ulja e Sejdiut dhe e Dacit për të diskutuar rreth së ardhmes së përbashkët të subjekteve që i drejtojnë. Me këtë rast, ai i ka bërë apel publik presidentit Sejdiu që t’i lërë inatet dhe egot dhe të shikojë nga e ardhmja e përbashkët e “partive rugoviste”.

“Ky do të ishte hapi i parë, fatkeqësisht si alternativë e vetme për nxjerrjen e vendit nga kjo situatë dhe këtë mund ta bëjnë koalicioni LDD-LDK”, është shprehur deputeti Naser Rugova.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›