E ardhmja e Serbisë dhe Kosovës, integrimi evropian
Zëvendëskryeministri i Luksemburgut, njëherësh ministër i Jashtëm i këtij vendi, Jean Asselborn, ka deklaruar se e ardhmja e Serbisë dhe e Kosovës varen nga integrimi evropian dhe se Bashkimi Evropian angazhohet për stabilitetin e rajonit.
Asselborn i bëri këto komente, sot pas takimeve të ndara që pati me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, me të cilët ka biseduar për procesin e integrimeve evropiane dhe marrëdhëniet bilaterale.
Duke folur për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Asselborn ka thënë se vendimi i GJND-së nuk do të ndryshojë mendimin e Serbisë, ndërsa ka shtuar e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është integrimi në Evropë.
Asselborn ka vlerësuar se 2010 është një vit i rëndësishëm dhe shpreson se do të ketë njohje edhe nga vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Presidenti Fatmir Sejdiu ka vlerësuar lart rolin e Luksemburgut në proceset para pavarësimit të vendit dhe në proceset e mëvonshme, përfshirë mbështetjen financiare prej mbi 50 milionë eurove që ka dhënë Qeveria e Luksemburgut për Kosovën.