E Diel, 1 Nëntor 2026

“Medikus”, familjarët e “Shtëpisë së verdhë” kundër EULEX-it

Mersim Katuçi, djali i madh i “Shtëpisë së verdhë” aq shumë të përfolur, ka deklaruar për “Kohën Ditore” se ai dhe familja e tij nuk janë dakord që EULEX-i të rikthehet në shtëpinë e tij për hetime e kontroll, pasi një gjë të tillë ata si familjarë e kishin kërkuar për 8 vjet me radhë. Djali i madh i Katuçëve ka kërcënuar se do të bllokojë hetuesit e EULEX-it, ashtu siç vepruan më 10 gusht të vitit 2009 me reporterët e KE-së.

Deklarata e tyre vjen vetëm një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi me unanimitet Ligjin për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it. Miratimi i ligjit të posaçëm është bërë me kërkesën e kryeprokurorit të Task Forcës Speciale hetimore të BE-së, ambasadorit Xhon Klint Uilliamson, i cili drejton hetimet e EULEX-it në lidhje me pretendimet e ngritura në raportin e Dik Martit.

Vitin e shkuar raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti, është paditur në Gjykatën e Tiranes për dëm moral nga të zotët e asaj që tashmë cilësohet si “Shtëpia e verdhë”. Familjarët kërkojnë nga Marti të paguajë një shumë prej 10 milion lekësh si dhe të përgënjeshtrojë raportin që bën objekt hetimi shtëpinë e tyre për transplant organesh të ushtarëve serbë nga ana e ish-ushtarëve të UCK-së.

Dik Marti kreu një hetim dy vjeçar në lidhje me krimin e organizuar në Kosovës pasi Këshilli i Evropës e mandatoi për të hetuar pretendimet për trafikun e organeve nga ana e UÇK-së pas mbarimit të luftës me Serbinë, në vitin 1999. Raporti i hartuar nga raportuesi i të drejtave të njeriut konstatoi se godina e njohur si “Shtëpia e Verdhë” është përdorur si burg ku mbaheshin të burgosurit, ndërsa operacionet e heqjes së organeve kryheshin në një shtëpi tjetër në Fushë Krujë, 20 kilometra larg Tiranës.
/Start/

                                                                                             2012-05-12 23:11
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›