E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tirana”, Kolegji Zgjedhor hedh poshtë kërkesën e PS-së

Gjatë seancës së sotme, ku është shqyrtuar ankimimi i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, anëtarët e këtij kolegji të ngritur pranë Gjykatës së Apelit kanë hedhur poshtë kërkesën e kësaj partie, duke e vlerësuar si të pa bazuar në ligj dhe në prova.

Gjithashtu, është hedhur poshtë edhe kërkesa e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Objekt i ankesës së PS-së është kontestimi i vendimeve të tabelave të rezultateve në KZAZ-të me nr. 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60, me pretendimin se votat për subjektin e tyre nuk janë vlerësuar drejt dhe për këtë kërkojnë rinumërim e rivlerësim për disa qendra votimi në Qarkun më të madh të vendit.

Sipas rezultateve të deritanishme të KQZ-së, në zgjedhjet e 28 qershorit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë, koalicioni "Aleanca e ndryshimit" ka fituar 16 mandate, koalicioni "Bashkimi për ndryshim", 15 mandate dhe "Aleanca Socialiste për Integrim" 1 mandat. Shqyrtimi i kërkesave ankimore për Tiranën përmbyll fazën e ankimimeve në Kolegjin  Zgjedhor, nga ana e subjekteve politike.

Sipas Kodit Zgjedhor, vendimet e Kolegjit janë të formës së prerë. Ky institucion përbëhet nga 8 gjyqtarë të Gjykatave të Apelit, të zgjedhur me short, të cilet betohen para Presidentit të Republikës. Ata e ushtrojnë detyrën e tyre deri në përfundim të legjislaturës së ardhshme.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›