E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Wikileaks”: Berisha hesht për hapjen e dosjeve

Në dosjen që mban datën 17 maj 2006, Ambasada i referohet Konventës së parë Kombëtare të Viktimave të Komunizmit, zhvilluar më 12 maj 2006 në Tiranë nga Shoqata Pan-Kombëtare Shqiptare për Integrimin e të Burgosurve Politikë dhe Personave të Persekutuar.

Sipas “Wikileaks”, në fjalën e tij në këtë takim, kryeministri e cilësoi regjimin e diktatorit Enver Hoxha si “më barbarin që populli shqiptar ka përjetuar ndonjëherë”, duke bërë më pas tre premtime: ndërtimin e një obelisku në qendër të Tiranës në kujtim të viktimave të komunizmit; deklarimin “Martirë të Lirisë” të gjithë atyre që humbën jetën në duart e komunistëve; kompensim të plotë financiar në përputhje me ligjin.

Më tej në kabllogram thuhet se Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Pan-Kombëtare Shqiptare për Integrimin e të Burgosurve Politikë dhe Personave të Persekutuar, Besim Ndregjoni, i ka thënë zyrtarëve të Ambasadës Amerikane se shoqata vazhdimisht i ka kërkuar qeverisë së mëparshme dhe asaj aktuale hapjen e arkivave, por “kjo kërkesë ka rënë në veshë të shurdhët”.

“Qeveria shqiptare ka premtuar kompensime për viktimat e komunizmit dhe ka renë parimisht dakord për këtë, por vështirë se do të ketë fonde të mjaftueshme”, vijon kabllogrami. “Për më tepër, qeveria zor se do të zbardhë të gjitha faktet që hedhin dritë mbi atë periudhë. Kjo do të kërkonte hapjen e arkivave shtetërore, gjë që ka pak gjasa të ndodhë me ish-komunistë nga e tërë klasa politike, përfshirë kryeministrin aktual. Kjo nuk është çështje e re dhe zor se ka për t’u zgjidhur së shpejti”.
/Start/

                                                                                             2011-08-31 15:44
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›