E Shtunë, 31 Tetor 2026

89’shi, mes Prekazit e Tovërlanit

Nënkampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës në futboll, Trepça ’89 ka nis të bëhet gati për edicionin e ri. Anëtarët e kryesisë së këtij klubi ishin zhgënjyer me rrjedhën e kampionatit të kaluar, saqë disa nga ta kishin menduar largimin nga klubi.

Megjithatë, thuajse shumica prej tyre kanë vendosur t’i mbesin besnikë kësaj skuadre, pas një takimi që e kanë mbajtur të enjten mbrëma. Në këtë takim kanë vendosur t’i nisin organizimet për edicionin e ri.

Por, fillimisht duan ta zgjidhin trajnerin e ri, vend i lënë bosh muaj më parë për shkak të një sulmi në zemër që e kishte pësuar Rafet Prekazi. Gjendja shëndetësore e trajnerit mitrovicas tani është e mirë, por krerët e Trepçës ’89 po hezitojnë t’i ofrojnë menjëherë kontratë të re nga frika se mund t’i përsëritet sulmi.

Andaj, si opsion të dytë ata e kanë vënë para vetës edhe emrin e trajnerit të njohur kosovar Afrim Tovërlanit. “Jemi në mes Prekazit e Tovërlanit, trajnerë këta që i çmon skuadra jonë.

Ndoshta Prekazit i nevojitet edhe një kohë pushim, prandaj kemi menduar edhe për Tovërlanin. Ditët në vijim do të bisedojmë me të dy dhe do ta emërojmë trajnerin e ri”, tha për Express kreu i Trepçës ’89, Abedin Zeka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›