E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillon sot zyrtarisht rruga e kombëtares olimpike shqiptare drejt “Londër 2012”

TIRANË- Kombëtarja Olimpike e Shqipërisë u grumbullua sot në Hotel 'Rogner' për të mbyllur përgatitjet në kuadër të Lojrave Olimpike "Londër 2012".

Zv/Presidentja e Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Ela Tase, përshëndeti sportistët dhe i uroi atyre sukseset më të mira në Olimpiadë. "KOKSH e shikon ekipin Olimpik si entitetin më prestigjoz që përfaqëson Shqipërinë dhe vizioni që na ka udhëhequr ka qenë që t'i japim vendit tonë prestigjin maksimal", tha Tase.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Vasil Bici, duke theksuar impenjimin maksimal të institucioneve qeveritare karshi stafit dhe sportistëve, tha se "ju do të jeni flamuri ynë, do të jeni fytyra e kombit shqiptar në Londër". Kjo Olimpiadë, theksoi ai, "përkon edhe me 100 vjetorin e pavarësisë së vendit tonë, prandaj një sukses ndërkombëtar i këtij niveli do të ishte një reklamë e mirë për ecurinë e Shqipërisë në këto vite". 

Viron Bezhani, Shefi i misionit të mandatuar nga KOKSH, ftoi sportistët të nënshkruanin kontratën, e cila është kusht për secilin anëtar të ekipit Olimpik për pjesëmarrjen në Olimpiadë. "Me përfundimin e nënshkrimit të kontratave", tha Bezhani, shpall zyrtarisht fillimin e përgatitjeve për lojrat Olimpike Londër 2012, që do të zhvillohen nga data 27 Korrik deri më 12 Gusht.
Vendi ynë në lojrat Olimpike të Londrës përfaqësohet me 13 sportistë. Tetë prej pjesëmarrësve kanë arritur normat e kualifikimit, ndërsa pesë sportistë të tjerë kanë siguruar ftesa. 

Sot, filluan grumbullimin Briken Calja, Daniel Godelli dhe Endri Krina në peshëngritje, Sidni Hoxha dhe Noel Borshi në not, si dhe Adriatik Hoxha për atletikë. Në ditët në vijim, do t'i bashkohen këtij grupi dhe pjesa tjetër e përfaqësueses olimpike shqiptare, pjesë të cilës do të jenë Majlinda Kelmendi, Xhudo, Romela Begaj peshëngritje, Arben Kucana për qitje, Hysen Pulaku në peshëngritje dhe Luiza Gega në atletikë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›