E Diel, 1 Nëntor 2026

Francezët po votojnë në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale

Francezët po votojnë në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që do të pasojë më 6 maj me një duel përfundimtar mes presidentit aktual, Nicolas Sarkozy dhe socialistit, Francois Hollande, i cili konsiderohet si favorit për të fituar.

Qendrat e votimit u hapën në orën 08:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në qytetet e mëdha në orën 20:00, kur edhe është paraparë të publikohen rezultatet paraprake nga instituti i sondazheve.

Rreth 44,5 milionë zgjedhës janë thirrur të votojnë për të zgjedhur dy finalistët mes 10 kandidatëve në listë.

Me ligj fushata zgjedhore e kandidatëve ka përfunduar që me fillimin e ditës së shtunë.

Dhjetë kandidatë marrin pjesë në rrethin e parë, por që zgjedhjet të mbyllen me një rreth të vetëm duhet që njëri prej tyre të grumbullojë rreth vetes më shumë se gjysmën e votave.

Konsiderohet e sigurt që me daljen në votime francezët do të përcaktojnë dy kandidatë presidencialë, të cilët do të marrin pjesë në rrethin balotazhit më 6 maj.

Këta mendohet se do të jenë presidenti aktual konservator Sarkozy dhe sfiduesi i tij, socialisti Hollande.

Pjesëmarrjes të tjerë të njohur në garë janë kandidatja e ekstremit të djathtë Marine le Pen, radikali i majtë Jean-Luc Melenchon dhe politikani i qendrës, Francois Bayrou.

Nicolas Sarkozy u bëri së fundi thirrje përkrahësve të vet që të shprehen hapur, duke zgjedhur një Francë të fortë. Sondazhet tregojnë një avantazh të qartë të Hollande.

Ky u shpreh gjatë një tubimi se është radha e së majtës për të udhëhequr vendin. Fitorja e Hollandes mund të pasohet nga një rritje e barrës fiskale dhe e rolit të shtetit në ekonomi. Kjo e fundit ishte edhe pika, në të cilën u përqendrua beteja zgjedhore. Të dy politikanët kanë premtuar se do të ekuilibrojnë buxhetin, mirëpo Hollande i ka mëshuar më shumë rritjes ekonomike sesa masave të kursimit.

Nëse në këto zgjedhje fiton Hollande, atëherë ky do të jetë presidenti i parë socialist, pas Francoa Mitteranit, i cili nga ky post u largua në vitin 1995.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›