E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Inflacioni për muajin shkurt arriti 4.4 për qind

Inflacioni kalon çdo kufij ligjor duke tejkaluar me 0.4% objektivin maksimal të parashikuar nga Banka e Shqipërisë. Gjatë muajit shkurt çmimet e konsumit shënuan një rritje prej 1.1 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Po ashtu gjatë këtij muaji, edhe çmimet e karburantit pësuan një rritje krahasuar me muajin e mëparshëm dhe konkretisht,

çmimi i naftës u rrit me 0.9 për qind dhe çmimi i benzinës u rrit me 0.7 për qind, përkatësisht me 10 deri në 20 lekë për litër. Sipas Institutit të Statistikave, rritjen më të madhe të çmimeve e ka shënuar grupi i zarzavateve, përfshirë këtu edhe patatet. Por pjesë e kësaj shtrenjtësie është bërë edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike, e cila është reflektuar në shpenzimet e familjeve shqiptare, që në muajin janar të këtij viti. Specialistja e sektorit të çmimeve në INSTAT, Hazbie Bunguri është shprehur se rritja e çmimeve gjatë muajit shkurt u regjistrua në 4.4 për qind dhe se pothuaj të gjithë grupet e shportës së matjes së inflacionit kanë pësuar shtrenjtim. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të konsumit është 4.4 për qind, nga 1.9 për qind që ishte një vit më parë. Indeksi i grupit ushqime dhe pije joalkoolike shënoi një rritje prej 2.4 për qind, brenda të cilit rritjen më të madhe prej 3.1 për qind vërehet në grupin e zarzavateve, thotë Bunguri. Ashtu siç edhe ishte lajmëruar që në fillim të vitit, rritje të ndjeshme në inflacion ka shkaktuar edhe shtrenjtimi i çmimit të energjisë. Çmimi i energjisë elektrike shënoi një rritje prej 13.1 për qind, dhe ka dhënë ndikim prej 0.5 për qind në totalin e ndryshimit të indeksit të çmimit të konsumit, rritje kjo e cila u reflektua që në indeksin e muajit janar të vitit 2010, vijon Bunguri. Gjasat janë që rritja e çmimeve në treg të vazhdojë edhe për një periudhë të pacaktuar për shkak të efekteve të mëvonshme të shtrenjtimit të energjisë, por edhe karburanteve. Përsa i përket indeksit të grupit ushqime dhe pije alkoolike, është shënuar një rritje prej 2.4 për qind, ku shtrenjtim kanë pësuar pothuajse të gjithë artikujt ushqimorë. Ndërsa në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve çmimet janë ulur ku mund të veçojmë uljet në nëngrupet, peshk 1.2 për qind, vajra dhe yndyrna 0.5 për qind, qumësht, djathë e vezë 0.4 për qind. Indeksi i grupit Pije alkoolike dhe duhan shënoi një rritje prej 0.3 brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike u rritën me 0.3 për qind dhe çmimi i duhanit me 0.2 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›