Skënderbeu ia prish ëndrrën Kamzës
Një goli me peshë i Klodian Asllanit pas vetëm dy minutash lojë i prish ëndrrën Kamzës dhe firmos qëndrimin e Skënderbeut në Kategorinë Superiore. Ka qenë pikërisht ky verdikti i finales së parë “play-out” mes Skënderbeut dhe Kamzës, i zhvilluar në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta të Elbasanit, i cili ka përfunduar me rezultatin e ngushtë 1-0 në favor të korçarëve. Takimi ishte shumë i tensionuar, me momente dramatike dhe vendime të kontestuara ndaj gjykimit të Bardhyl Pashajt, çka reflektoi edhe në revoltat e tifozerisë në tribuna, dhe që në fundin e pjesës së parë u transferua edhe në dhomat e zhveshjes, ku pati presion ndaj treshes së gjyqtarëve. Kamza dha maksimumin e saj për të shënuar të paktën një gol, që do ta çonte lojën në shtesë, po ka qenë e pamundur. Kështu që Skënderbeu sezonin e ri do ta luajë në Kategorinë Superiore, ndërsa Kamza do të jetë e detyruar të përballojë edicionin 2010-2011 në Kategorinë e Parë. Sot luhet në “Qemal Stafa” ndeshja tjetër “play-out” mes Kastriotit dhe Lushnjës.
#