E Shtunë, 31 Tetor 2026

93-vjetori i Musine Kokalarit kalon në heshtje

GJIROKASTER -Shtëpia e gurtë e Musine Kokalarit, në krye të lagjes 'Palorto' të qytetit të Gjirokastrës, ngjan sot me një gërmadhë të braktisur. Banesa, monument kulture i kategorisë së dytë, në të cilën banoi për vite të tëra disidentja e njohur, veç vlerave historike, meqenëse nga gjiri i saj u "ushqye" Musine Kokalari, mbart edhe vlera të mëdha arkitektonike individuale, por edhe si pjesë e ansamblit arkitektonik të kësaj lagjeje të njohur të Gjirokastrës. Pardje, në 93-vjetorin e lindjes, njëri prej familjarëve të saj na tregoi disa foto të sajat, shkrepur në kohën kur ajo qe vetëm një fëmijë. Fotografitë, përveçse hedhin dritë mbi etapën e parë të jetës së saj, janë një hap i ri në përpjekjet për ta kthyer shtëpinë e saj në një muze në kujtim të disidencës karshi regjimit komunist në Shqipëri. Nga gjashtë fotografi, njëra prej tyre i takon fëmijërisë, dhe aty Musineja na shfaqet në oborr me një fëmijë tjetër. Shumë vizitorë, njohës të veprës së kësaj disidenteje dhe simpatizantë të saj, befasohen me realitetin e shtëpisë ku Musineja kaloi fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë së hershme. Ata presin të shohin një banesë të mirëmbajtur dhe të vlerësuar nga pasardhësit e saj. Kjo shtëpi e gurtë në të cilën disidentja Kokalari do të jetonte për 9 vite me radhë, aktualisht paraqitet në gjendje të vështirë për sa i përket ruajtjes së vlerave të saj të gjithanshme. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës "Zëri i Lirisë". Në vitin 1944 botoi librin e saj të dytë "Rreth vatrës", ndërsa më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga Forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961 e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen. Në vitin 1981 sëmuret nga sëmundja e rëndë, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes, medaljen "Martir i Demokracisë". Në kujtim të jetës dhe veprës së saj, një bazoreliev në bronz i Musine Kokalarit është pjesë e panteonit të gurtë "Nderi i Gjirokastrës", i vendosur në zonën historike të Gjirokastrës së bashku me bazorelievet e Ismail Kadaresë dhe Eqrem çabejt. Shtëpia Gjithsesi, shtëpia e Musine Kokalarit, e harruar nga vitet dhe brezat dhe e braktisur plotësisht, pritet që në muajt në vijim, edhe pse me vonesë do t'i nënshtrohet një restaurimi të përgjithshëm. Burime nga zyra e administrimit të vlerave muzeale në Gjirokastër thanë se kjo banesë do të kthehet në identitetin fillestar, pasi është përfshirë në një projekt të UNESCO-s. Ajo do të restaurohet, ndërsa do të rikthehen elementët prej guri druri dhe hekuri. Restaurimi i banesës së gurtë në qytetin e Gjirokastrës në të cilën ajo jetoi 9 vite rresht, do të krijonte mundësinë e njohjes së brezave të rinj me punën dhe veprën e kësaj disidenteje në shërbim të kombit dhe atdheut si dhe do të bënte të mundur shpëtimin nga rrënimi i plotë i njërës prej banesave të gurta gjirokastrite me vlera të rralla ndërtimore dhe arkitektonike. Kthimi në identitet i shtëpisë së gurtë të korifeut të letrave shqipe, Ismail Kadare, gjuhëtarit të shquar, Eqrem çabej dhe tashmë disidentes Musine Kokalari, krijon një trekëndësh të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kulturor në qytetin e Gjirokastrës. Gjatë vizitës që realizoi në muajin tetor 2009 në shtëpinë e gurtë të Kokalarit, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Withers hodhi idenë që kjo banesë të kthehet në një muzeum kushtuar disidencës antikomuniste në Shqipëri. Sipas tij, jo vetëm restaurimi do të ishte një shenjë respekti për jetën dhe veprën e disidentes, por kjo shtëpi mund të kthehej në një muze për disidencën dhe rezistencën antikomuniste. "Kjo është një shtëpi karakteristike impresionuese, dhe unë mendoj se nëse familjarët disponojnë objekte të mjaftueshme personale të Musinesë, kjo mund të kthehet në shtëpi muze të saj, nëse ato nuk janë të mjaftueshme mund të kthehet në një muze për të gjithë disidentët që janë dënuar dhe persekutuar gjatë regjimit komunist", - tha Withers. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›