ICO: Cdo lloj ndarjeje e Kosovës është e papranueshme
PRISHTINE-Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Andy McGuffie ka thënë se për bashkësinë ndërkombëtare çfarëdo ndarje e Kosovës është e papranueshme. Bashkësia ndërkombëtare, sipas tij, përjashton mundësinë e këmbimit të territoreve të veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës.“Zyra Civile Ndërkombëtare dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë si dhe shtetet që kanë marrëdhënie me Kosovën, mbështesin integritetin territorial të saj në formën çfarë është tani”, ka thënë McGuffie për radion serbe B92, duke u përgjigjur rreth deklaratës të kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, për mundësinë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, në rast se serbët insistojnë në ndarjen e veriut të Kosovës.McGuffie ka thënë se qëndrimi i ICO-s është se ndarja eventuale e kësaj pjese të Kosovës, ose këmbimi i saj me trevën e Luginës së Preshevës, nuk është praktik. “Duke e shikuar perspektiven evropiane të Kosovës, shtetet evropiane synojnë që si një nga vlerat kryesore të ruajnë shoqërinë multi-etnike, ku njerëzit do të jetojnë bashkë, pa përpjekje për t’u ndarë”, ka thënë McGuffie. (telegraf/balkanWeb)