Kriza ne Greqi, Trichet pershendet BE-në. Zhvleresohet euro
ATHINE- Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (BCE) Jean-Claude Trichet përshëndeti sot angazhimin e drejtuesve evropianë për të ndihmuar Greqinë, që ndodhet në një krizë buxhetore. "Vlerësoj angazhimin e shteteve anëtare të euros për marrjen e masave vendimtare dhe të koordinuara për të garantuar stabilitet financiar në zonën euro'', theksoi Jean-Claude Trichet sipas një deklarate të transmetuar nga BCE-ja. Një ditë më parë vendet evropiane arritën një marrëveshjeje për të ndihmuar Greqinë për t'i bërë ballë krizës buxhetore. Jean-Claude Trichet përshëndeti gjithashtu angazhimin e Athinës për të bërë çdo gjë që është e nevojshme, duke përfshirë dhe masa shtesë për të përmbushur objektivat e saj ambicozë për reduktimin e deficiteve.Ndërkohë në tregun financiar aziatik euroja ka shënuar rënie mëngjesin e sotëm. Gjatë javëve të fundit euroja ka humbur 10 për qind të vlerës së saj. Rënia vjen në kohën kur ekonomia e Greqisë ka ngritur pikëpyetje serioze mbi monedhën e përbashkët evropiane. (s.g/atsh/BalkanWeb)