E Shtunë, 31 Tetor 2026

99 vite Forcat e Armatosura, Topi: Në rrugën e duhur

 Me rastin e kësaj date, Presidenti Bamir Topi, njëkohësisht edhe Komandant i Forcave të Armatosura Shqiptare, vizitoi Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Moisiu".

Presidenti Topi, duke uruar të gjithë ushtarakët shqiptarë në këtë 99-vjetor të krijimit të Forcave të Armatosura, mbajti një ligjëratë me temë "Lidershipi dhe ndikimi i tij në menaxhimin e mjedisit të sigurisë. Rasti i Shqipërisë, rajonit dhe më gjerë", ku theksoi se "ky është një moment shumë i veçantë për të diskutuar për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me strategjinë e sigurisë kombëtare".

"Shqipëria sot vërtet është vend i NATO-s, por Shqipëria sigurisht që nuk do të ishte anëtar i NATO-s në rast se nuk do të kishte aleatë të fuqishëm që e kanë ndihmuar atë që të bëhet e tillë", tha Presidenti Topi, duke evidentuar faktin historik dhe tradicional që "Shqipëria ka qenë me fat që në krahun e saj së pari ka pasur një aleat strategjik, vendin më të fuqishëm në botë, vendin më demokratik në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që e ka asistuar Shqipërinë në sfidat më të mëdha të historisë saj, qoftë në historinë retrospektive, qoftë në historinë e viteve të fundit". 

Duke theksuar faktin që të bëhesh anëtar i NATO-s nuk mjafton vetëm ndihma e miqve, por edhe duhet ta meritosh, Presidenti Topi shtoi se "Shqipëria është futur në një rrugë të rëndësishme të reformave dhe tashmë jemi në përmbyllje të një njëzetvjeçari, që nuk janë pak në historinë e një vendi dhe gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar jo pa përpjekje, jo pa debat, jo pa mundim, një sërë reformash të rëndësishme, që e kanë bërë vendin tonë që të orientohet në nivelet më të larta të standardeve të vendeve më të përparuara”. /Start/

                                                                                             2011-12-05 14:36
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›