E Shtunë, 31 Tetor 2026

99 vjet nga fundosja e “Titanikut”

99 vjet më parë, më 14 prill 1912, anija transoqeanike e pasagjerëve “Titanik”, më e madhja në botë për kohën, u mbyt gjatë udhëtimit të saj të parë, si pasojë e përplasjes së pashmangshme me një ajsberg, rreth 740 km në jug të Brigjeve të Mëdha të Njufaundlendit (Kanada), duke shënuar një nga tragjeditë më të mëdha detare të të gjitha kohërave në periudha paqeje.
Edhe pse ka kaluar kaq shumë kohë, ende numri përfundimtar i viktimave që humbën jetën në këtë tragjedi nuk është përcaktuar saktë; burime të ndryshme raportojnë nga 1495 deri në 1517 të mbytur – e njëjta vlen edhe për të mbijetuarit, që numërohen nga 706 në 712 persona. Këto të dhëna të pasakta, kryesisht vijnë për shkak të listave jo edhe aq të sakta të pasagjerëve, për arsyen se udhëtimi i parë ishte edhe udhëtimi përurues i anijes dhe mendohet që në momentet e fundit të kenë hipur edhe më shumë persona nga ç`kishin prerë paraprakisht bileta, apo edhe për faktin se në momentet e fundit u morën si punëtorë më shumë staf nga ç`ishte parashikuar paraprakisht. Edhe pse anija ishte llogaritur për një kapacitet prej 3547 personash, numri i barkave të shpëtimit në raste rreziku ishte i mjaftueshëm vetëm për 1178 prej tyre. “Titaniku” ishte një anije britanike katëroxhakëshe transoqeanike me avull, e ndërtuar për transport pasagjerësh transatlantikë, si dhe për shërbime postare, ndërmjet Sauthemptonit të Britanisë së Madhe dhe Nju Jorkut të SHBA-së, me porosi të kompanisë “White Star Line”.
Anija u ndërtua në kantierin Harland dhe Volf në Belfast të Irlandës së Veriut. Kur u fut në ujëra për lundrimin e saj të parë përurues, ishte anija më e madhe në botë e llojit të vet. Ndërtimi filloi më 31 mars 1909, u lëshua për herë të parë në ujë më 31 maj 1911 dhe i mbylli përfundimisht punimet më 31 mars 1912. Kishte një gjatësi prej 269.1 m, gjerësi 28 m, me një tonazh në total prej mbi 47 mijë tonësh. Për kohën, Titaniku ishte anija më luksoze e llojit të vet. E pajisur me teknologjinë më të avancuar, kishte brenda pishinë, salla gjimnastike, banjo turke, biblioteka në klasin e parë e të dytë, si dhe një fushë skuoshi (një lloj sporti i preferuar anglez). Për ta kuptuar luksin e anijes, mjafton të kujtosh se bileta e klasit të parë kushtonte 4500 dollarë amerikanë .
Anija u nis për lundrimin e parë më 10 prill 1912 nga Sauthemptoni. Megjithë përpjekjet për gjetjen e mbetjeve të Titanikut, që pak kohë pas mbytjes së tij, vetëm më 1 shtator 1985 një ekspeditë franko-amerikane mundi t`i zbulojë ato, rreth 4 km në thellësi të detit, gati 600 km në juglindje të Njufaundlendit. Që prej mbytjes, Titaniku nga nxitur fantazinë e shumë njerëzve dhe është bërë subjekt i disa prodhimeve kinematografike.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›