E Shtunë, 31 Tetor 2026

A-2, tjetër afat për maturantët para 2009-s

13/07/2009  Kategorizohet skema e plotësimit të formularit të preferencave, shans tjetër maturantëve të vjetër

Plotësimi i detyrueshëm edhe për kandidatët që kanë zgjedhur akademitë sportive e artistike

Kandidatët që kanë aplikuar për pranimet në universitete gjatë vitit të ardhshëm akademik, por që nuk kanë plotësuar formularin A-1Z, që në fazën e parë kanë ende kohë të paraqiten për të zyrtarizuar të drejtën e konkurrimit. Pas zhvillimit të dy provimeve me zgjedhje specialistët e Ministrisë së Arsimit kanë deklaruar se një tjetër afat kohor do të jetë në dispozicion të gjithë maturantëve që i kanë mbyllur studimet e shkollës së mesme para 2009-s (e që janë përfshirë edhe më parë në provimet me zgjedhje), duhet të paraqiten pranë institucionit përkatës për të konfirmuar bazën e të dhënave për aplikimin e bërë për 2009–2010-n. Për këtë kategori është përcaktuar që deri në datën 20 korrik duhet të shkojnë pranë Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve që të plotësojnë formularin A-2, në të cilin hedhin bazën e të dhënave të provimeve me zgjedhje, degëve të kërkuara apo gjeneraliteteve të tjera të nevojshme, por janë vendimtare në procesin e përllogaritjes së komponentëve të maturës. “Të gjithë ata maturantë që kanë përfunduar shkollën e mesme para këtij viti dhe nuk kanë plotësuar formularin A-1Z, që do të thotë se nuk figurojnë në bazën e të dhënave, duhet të drejtohen në Agjencinë Kombëtare të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, pra AVA në Tiranë, për t’u regjistruar për formularin A-2 deri në datën 20 korrik 2009”, - pohohet nga Ministria e Arsimit. Ndërkohë që nëpërmjet tyre bëhet dhe një ndarje e saktë e aplikuesve që në garën e pranimeve do të hyjnë me rezultatet të mbartura të provimeve të dhëna në maturat e viteve të shkuara. Për këto raste në procesin e llogaritjes në fuqi do të jenë koeficientet e viteve të shkuara dhe jo ato të miratuara këtë vit.

Plotësimet

Sot do të jetë afati i fundit që maturantët kanë në dispozicion për të plotësuar formularin e preferencave për studimet e larta. Gjatë ditës së nesërme të gjitha shkollat e mesme duhet të dorëzojnë në drejtoritë arsimore kopjet origjinale të formularëve të plotësuar, të cilat një ditë më pas përcillen në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, ku bëhet inventarizimi e hedhja e tyre në bazën e të dhënave. Ndonëse për akademitë sportive dhe ato artistike pranimet do të bazohen në konkursin special që do të zhvillohet gjatë muajit gusht, shumë prej maturantëve duhet të tregohen të vëmendshëm në plotësimin e formularit A-2. Kështu që edhe për këtë kategori është e detyrueshme që të plotësohet A-2, sepse vetëm nëpërmjet saj bëhet identifikimi i fituesve sipas programit të kërkuar. “Plotësimi i formularit A-2 është i detyrueshëm edhe për të gjithë ata kandidatë që duan të konkurrojnë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Akademinë e Sporteve “Vojo Kushi” dhe programet e studimit të edukimit fizik e sporteve në universitetet e Shkodrës dhe Elbasanit, krahas regjistrimit në konkurse përkatëse që ata kanë kryer pranë këtyre institucioneve. Tashmë janë përcaktuar dhe llojet e koeficienteve për çdo profil shkolle të mesme, si dhe koeficientet e lëndëve me zgjedhje për secilin nga fakultetet publike. Këto të fundit së bashku me rezultatet e arritura në katër provimet e maturës së 2009-s do të luajnë rolin vendimtar në përcaktimin e fituesve sipas kuotave të miratuara për çdo institucion të arsimit të lartë.

Hedhja e rezultateve

Edhe për këtë vit hedhja e të dhënave me rezultatet përfundimtare të dala nga procesi i përllogaritjes së maturës do të realizohet në librin e transparencës. Në dy vjetët e fundit ky libër jo vetëm ka qenë i nevojshëm, por dhe i domosdoshëm për realizimin e një procesi tërësisht transparent dhe të kontrollueshëm. Jo vetëm kaq, por vënia në dispozicion e këtij libri për të interesuarit jep mundësinë e korrigjimit të pasaktësive të të dhënave të maturantëve. Për përcaktimin e fituesve ndër kandidatët maturantë konkurrentë përdoret një program kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë.

Kufiri i kalueshmërisë

Procesi i hedhjes së të dhënave përfundon kur nuk ka mbetur qoftë dhe një test i paverifikuar, janë eliminuar të gjitha gabimet e mundshme dhe të dyja institucionet: AVA-ja dhe APRIAL-i, kanë materialet përkatëse të përfunduara. Në bazë të të dhënave të rezultateve në pikë, ministri i Arsimit dhe Shkencës vendos kufirin e kalueshmërisë, atë që e quajmë “Cutoff”. Pas kësaj pikët konvertohen në nota të shkallëzuara me dy shifra pas presjes dhjetore. Një komision i posaçëm i Ministrisë së Arsimit realizon bashkimin e emrave të maturantëve me notën përkatëse, proces që fiksohet në 6 CD. Kjo metodologji përdoret për të katër provimet që japin maturantët dhe në përfundim secili maturant në bazën e të dhënave ka katër rezultatet e tij. Për përcaktimin e fituesve ndër kandidatët maturantë konkurrentë përdoret një program kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë.

Mbyllja e pranimeve

Një pjesë e konsiderueshme e kandidatëve për pranimet në universitet gjatë vitit të ardhshëm akademik nuk kanë plotësuar formularin A-1Z, në të cilin specifikohen të dhënat e provimeve të maturës të zhvilluara gjatë viteve të shkuara. Kështu, sipas rregullave të reja të përcaktuara nga ekspertët hartues të Maturës Shtetërore, pohohet se “të gjithë ata maturantë që kanë përfunduar shkollën e mesme para këtij viti dhe nuk kanë plotësuar formularin A-1Z, që do të thotë se nuk figurojnë në bazën e të dhënave, duhet të drejtohen në Agjencinë Kombëtare të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, pra AVA në Tiranë, për t’u regjistruar për formularin A-2 deri në datën 20 korrik 2009”. Plotësimi i formularit A-2 është i detyrueshëm edhe për të gjithë kandidatët që duan të konkurrojnë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Akademinë e Sporteve ‘Vojo Kushi’ dhe programet e studimit të edukimit fizik e sporteve në universitetet e Shkodrës dhe Elbasanit, krahas regjistrimit në konkurset përkatëse që ata kanë kryer pranë këtyre institucioneve” .

Identifikimi i rezultateve

Çdo test i plotësuar i një maturanti ka si element dallues vetëm një barkod. Gjatë hedhjes së pikëve të fituara për çdo pyetje krijohet një listë, ku çdo barkodi i vihen në korrespondencë pikët. Këtë proces e realizon APRIAL-i. Ndërkohë Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, në bazë të të dhënave që disponon nga mjediset ku janë zhvilluar provimet, krijon një listë tjetër, ku çdo barkodi i bashkëngjitet emri i maturantit. Të dyja këto procese realizohen në mënyrë të pavarur dhe me përgjegjësi nga këto dy institucione. Menjëherë sapo të përfundojë korrigjimi i testeve të lëndëve me zgjedhje në të tria qendrat e ngritura në rrethe dhe në atë të kryeqytetit, do të realizohet procesi “matching”, ose, siç njihet ndryshe, bashkërendimi i pikëve të arritura me emrin e maturantit që ka plotësuar këtë test.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›