E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vërsulen” gjarpërinjtë, 4 pickime brenda javës

13/07/2009  Mjekët këshillat për pacientët

ELBASAN-Gjarpërinjtë janë kthyer në tmerrin e banorëve në zonat rurale gjatë këtyre ditëve të verës. Vetëm gjatë ditëve të fundit kanë mbërritur katër të pickuar nga gjarpërinj helmues, mes të cilëve edhe një fëmijë. Një 10-vjeçare me emrin Aida P. u sulmua nga gjarpri kur ishte duke luajtur me shoqet e saj, ndërsa 30-vjeçarja Kimete S. u pickua nga gjarpri në dorë në çastin kur ajo ishte në arë duke punuar në bujqësi. Vogëlushja tregon se gjarpri e ka sulmuar për ta kafshuar në dorë dhe pasi nuk e ka arritur e ka pickuar në këmbë. Ndërsa 30-vjeçarja ka qenë duke pastruar barin në arë kur nepërka e ka kafshuar në dorë. Pacientja 10-vjeçare është në gjendje serioze për jetën dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ajo ka probleme në këmbën e majtë. Mjeku Behar Gjevori shprehet se pavarësisht nga moti me lagështi, këtë vit ka rritje të numrit të rasteve të sulmit nga gjarpërinjtë. “Vetëm gjatë kësaj jave kemi pasur katër raste të pacientëve të sulmuar nga gjarpërinjtë. Rastet vijnë më shumë nga fshatrat. Pacientët duhet të marrin ndihmë sa më shpejt në qendrën më të afërt shëndetësore. Më pas duhet të nisen për të marrë ndihmën e specializuar”. Sipas tij, shtetasit që sulmohen nga gjarpërinjtë nuk duhet të aplikojnë metoda primitive siç janë prerja apo lidhja e ekstremiteteve pasi shoqërohet me pasoja për shëndetin, siç është gangrena.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›