E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, heqja e vizave për tri shtetet e Ballkanit

Këshilli i Ministrave për punë të brendshme dhe drejtësi të vendeve anëtare të BE-së sot në Bruksel do të miratojë vendimin përfundimtar për heqjen e vizave për Maqedoninë, si dhe Serbinë e Malin e Zi. Në tavolinën e negociatave do të jetë 19 dhjetori data kur duhet të ndodhë heqja e barrierës për të lëvizur përfundimisht drejt vendeve anëtare të BE-së. Vendimi që Maqedonia të transferohet në vendet e "Shengenit të bardhë" duhet të miratohet me shumicë votash, gjegjësisht 2/3 e votave të vendeve anëtare, ndërsa menjëherë më pas lajmi do të kumtohet nëpërmjet një konference të organizuar për mediat dhe opinionin. Në tekstin e vendimit që duhet të miratohet, do të përcaktohet se vetëm qytetarët me pasaporta biometrike mund të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së. Heqja e vizave do t‘u mundësojë qytetarëve të Maqedonisë që të udhëtojnë në 25 nga 27 vende anëtare të BE-së, duke përjashtuar Britaninë e Madhe dhe Irlandën. Por, nga ana tjetër, pa viza do të udhëtohet edhe në Norvegji, Zvicër dhe Islandë. Qytetarët e Maqedonisë janë në pritje të vendimit dhe se ata tanimë janë njoftuar me kushtet që kërkohen për të udhëtuar në një vend të BE-së. Një pjesë e tyre kanë theksuar nëpërmjet anketave të ndryshme, se 19 dhjetorin apo 1 janarin e 2010-s do ta presin nëpër vendkalimet kufitare të shteteve anëtare të BE-së. Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, prof. dr. Ylber Sela, ka theksuar se vendimi për heqjen e vizave tanimë ka ngelur vetëm të formalizohet. "Presim që të ndodhë përfundimisht heqja e barrierës, por përsëri nuk përjashtohet mundësia që të ndodhin edhe çudira se çfarë do të pasojë. Presim me padurim takimin e 30 nëntorit të Këshillit të Ministrave", ka theksuar eksperti i së drejtës europiane, Ylber Sela.

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›