E Shtunë, 31 Tetor 2026

A MUND Të KETë REND E SIGURI PUBLIKE ME KëTë POLICI?

Ngjarja me atë robin, i cili ushtroi dhunë mbi të verbrit që po protestonin përpara Kryeministrisë, është një lajm që i ka hije veç kronikës së gazetave shqiptare; dua të them, se veç në Shqipëri mund të ndodhë një gjë e tillë. E sillni në mendje skenën? Një grup të verbërish, të ngucur pranë e pranë në trotuarin ngjitur me Kryeministrinë, të lidhur me litar për të mos humbur sho-shoqin e për t‘u ruajtur prej kurtheve të tollovisë urbane të Tiranës, po kërkonin të drejtat e tyre; po i kërkonin këto të drejta, ja, ashtu qetësisht e paqësisht (a mund të ketë një turmë më paqësore se sa një turmë të verbërish?). Aty mes tyre bien në sy ca policë civilë, tiparet somatike të të cilëve nuk mund ta maskojnë dot origjinën "etnike" të tyre. Zona rrotull Kryeministrisë, që është territoralisht e lidhur me zonën e banimit të Sali Berishës, është e mbushur me civilë të tillë, të cilët janë të qethur shkurt (është një përpjekje e mundimshme dhe e kotë për të imituar agjentë të FBI-së, apo marines-at amerikanë), mbajnë veshur ca kostume të dala mode, e ca këpucë me majë të kthyer për shkak të përdorimit të gjatë. E vetmja gjë që kanë marrë prej modeleve të tyre të përtej-Atlantikut është zelli dhe vigjilenca në kryerjen e detyrës. Por edhe në këtë mes ka një ndryshim thelbësor: "Detyra e tyre nuk përkufizohet prej ligjit apo rregullave shtetërore; përkundrazi, detyra lidhet me kauzën e tyre politike e me devocionin ndaj prijësit të tyre mujshar".

Ja, njëri syresh ishte dëshmitar i skenës, në të cilin ai "trimi i çartur" kapi për leshrash gruan e verbër, e tërhoqi me forcë drejt vetes, e nxori nga litarët, me të cilët ajo ishte e mbajtur, dhe bëri për ta shtyrë tutje. Atyre që e kanë ndjekur nga ekrani, me siguri u është këputur shpirti nga ky gjest tejet i vrazhdë e antihuman. E çfarë bëri polici civil? Është e papërfytyrueshme, por ai nuk bëri asgjë për ta ndaluar. Përkundrazi, bëri sehir. Më keq akoma, u argëtua. Më në fund, e shoqëroi agresorin, të cilin ose e njihte, ose e ndjente si të njohur për shkak të solidaritetit tribal, shkëmbyen dy fjalë mirëkuptimi e kënaqësie, i çuan buzët vesh më vesh, shkëmbyen një të puthur (gati sa nuk thithën faqet e njëri-tjetrit), dhe secili shkoi në punë të vet. "Sipërmarrësi i furrave" shkoi të bënte një dorë muhabet me policët e një komisariati (të cilët janë gjithashtu të së njëjtës tribu), e pas kësaj shkoi të jepte një intervistë në një prej televizioneve të Tiranës, ku gjeti rastin të kapardisej para kamerave; ndërsa polici civil u kthye - për çfarë? Të përkujdesej për protestuesit e ngratë? T‘i mbronte ata prej ndonjë cubi tjetër? As që bëhet fjalë - të mbronte Kryeministrinë prej protestuesve të verbër.

Kjo është e tërë ngjarja? Jo, ka më. Së pari, është sjellja e mëtejshme e protagonistit të dhunshëm, i cili në polici na paska thënë se ata e kanë penguar të mbaronte ca punë në Kryeministri, ndërsa në televizionin "Ora News" paska thënë se nuk e dinte që ata ishin të verbër. E dini prej nga buron shqetësimi im, të dashur lexues? Kam frikë, se 90% e shqiptarëve janë si Pëllumb Bushi; me fjalë të tjera e duke e kapur frazën mbrapsht, Pëllumb Bushi është njëri nga ne; me fjalë të tjera akoma, çdo shqiptar s‘e ka për gjë të rrahë (nëse e ka takatin) këdo që, krejt pa dashur e krejt rastësisht, e pengon të kryejë e të ndjekë hallet e veta. E më pas nuk e ka për gjë, të dalë e të nxjerrë si justifikim faktin, që ai nuk e dinte se ndaj kujt po ushtronte dhunë. Vini re! Këta njerëz edhe mea culpa-n e kanë allasoj: ata kërkojnë falje për faktin që viktimat i zgjedhin gabim, e jo për faktin që ushtrojnë dhunë e që bëjnë vetëgjyqësi.

Të kuptohemi, ky është variant i Pëllumbit. Mirëpo, nuk do ta tepronim, nëse do të besonim dhe një variant tjetër, d.m.th Pëllumbi është nga ata që jep dhe jetën për Sali Berishën, dhe ndërsa është ndodhur aty pranë, nuk ka mundur ta gëlltisë dot situatën, në të cilën "ca qorra" (kjo ishte shprehja që ai përdorte në televizion për protestuesit) janë ngritur kundër tij. Dhe për të njëjtën arsye policët e tjerë nuk kanë mundur e nuk kanë dashur ta pengojnë shfrimin e Pëllumbit.

Dhe këtu vijmë te reagimi i policisë dhe i Kryeministrisë, shefat e të cilave i lanë duart me këtë histori duke thënë, se autori i dhunës ndaj të verbërve nuk ishte as polic, as gardist. Birbove të policisë e të Kryeministrisë (përballë tyre Pëllumbi ynë është tamam një pëllumb) nuk u ka bërë fare përshtypje indiferenca e policëve në këtë ngjarje. Në anën tjetër, nuk u ka bërë fare përshtypje që njëri prej tyre e ka inkurajuar gjatë gjithë kohës ushtruesin e dhunës. Dhe është zgërdhirë me të. Dhe është puthur.

Ja pra, kjo polici do të jetë edhe gardiane e sigurisë publike gjatë fushatës dhe gjatë zgjedhjeve. E besoni ju që kjo polici, e ngritur mbi kritere të klientelizmit, nepotizmit e tribalizmit, të ketë dëshirën, vullnetin dhe aftësinë për t‘u vënë në mbrojtje të ligjit e të rendit gjatë fushatës e gjatë zgjedhjeve?

Post Scriptum: Më kujtohet një konferencë për shtypin e Sali Berishës andej nga viti 1998. Salla ishte e mbushur plot, e ndërsa vjen radha e pyetjeve, një gazetare e re merr guximin t‘i bëjë udhëheqësit të PD-së një pyetje "me spec". Një prej atyre djemve që rrinin më këmbë ato kohë (por edhe më pas) rrotull sallës, iu lëshua gazetares me fjalët: ulu, moj kurvë e dreqit! Të gjithë gazetarët shtangën. U trembën, gjithashtu. E po prisnin reagimin e Sali Berishës, i cili erdhi aty për aty: Jo, lëre, lëre! Le ta çojë deri në fund porosinë që ka marrë!

Me siguri, ata djemtë që rrinin rrotull sallës e që ia lejonin vetes (e lejoheshin nga Berisha) të jepnin "konsiderata" mbi pyetjet e gazetarëve janë të punësuar në policinë e sotme. Zgjedhjet në një farë mënyre janë edhe në dorë të tyre. Zoti na ruajttë prej tyre, d.m.th prej Saliut!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›