E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petersen: Bajdeni i tregoi "vijën e kuqe" Serbisë

Ish-shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen Petersen, ka thënë se në një mënyrë, zëvendëspresidenti amerikan, Xhozef Bajden, e ka përcaktuar një "vijë të qartë të kuqe", se si duhet të sillet Serbia në raport me Kosovën.

Në një intervistë me BBC-në, Peterseni tha se zoti Bajden ka lënë të kuptohet se pret nga Serbia që të ndalojë minimin e pavarësisë së Kosovës.

Ish-shefi i UNMIK-ut, tha se qëndrimi i administratës së re amerikane bazohet në pranimin se vende të ndryshme kanë interesa legjitime.

Sipas tij, administrata e Obamës e pranon se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por në anën tjetër, Serbia duhet ta pranojë interesin legjitim të SHBA-së, se ato qëndrojnë fuqishëm prapa pavarësisë së Kosovës.

Jessen Petersen tha se udhëheqja e Kosovës ka punuar shumë për t‘iu ofruar serbëve të Kosovës, por ajo nuk ka qenë e ndihmuar nga Beogradi zyrtar, i cili për momentin, ka thënë Jessen-Petersen, nuk duket të jetë i interesuar që serbët e Kosovës të jenë vërtetë pjesë e Kosovës.

Ka pasur tri porosi të zotit Bajden brenda këtyre ditëve të qëndrimit në Ballkan. E para, se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, e dyta se ajo është e bashkuar dhe e pandashme dhe e treta në Beograd, ai tha, se "pajtohemi që të mos pajtohemi për Kosovën". Si t‘i lexojmë këto porosi?

Mendoj se është në përputhje të plotë me vijat politike që administrata e Obamës po ndërmerr gjithandej botës, në këta tre-katër muajt e parë.

Dhe kjo vijë është e kundërta e tetë vjetëve të Bushit, sepse administrata e Obamës e pranon se edhe vendet e tjera kanë interesa legjitime.

Ata e bënë të qartë këtë në bisedimet me Kinën, Rusinë dhe më të tjerët. Në rastin në fjalë, mendoj se ishte shumë i qartë se SHBA-ja dëshiron që të rivendosë marrëdhënie më të mira me Serbinë.

Ata e pranojnë se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por në anën tjetër, Serbia duhet ta pranojë se SHBA-ja qëndron fuqishëm prapa pavarësisë së Kosovës, se ajo është e pakthyeshme dhe se për SHBA-në nuk ka çka të diskutohet më rreth kësaj çështjeje.

Por ai gjithashtu ka shtuar, ashtu si e kam parë në media, se Serbia duhet ta pranojë interesin legjitim të SHBA-së, e në këtë rast duhet të ndalojë çdo gjë, që unë do ta quaja, minim të pavarësisë së Kosovës. Prandaj mendoj se porosia që ai ka përçuar në Beograd ishte shumë e qartë.

Pra nëse do ta kishim zbërthyer mirë, kjo do të thotë se administrata Obama-Bajden do që të zgjidhë problemet me dialog?

Ashtu është. Ashtu siç e thashë dallimi është se në tetë vjetët e kaluara, kishte një ndjenjë se administrata e Bushit donte t‘i diktonte botës se ky është interesi ynë dhe nuk çajmë kokën për interesat tuaja.

Këtu kemi një ndryshim fundamental se kjo administratë e Obamës e pranon se edhe vendet e tjera kanë interesa dhe mbi bazën e respektimit të interesave të vendeve të tjera ata janë të gatshëm të bisedojnë me vendet me të cilat nuk kanë pasur dialog në të kaluarën dhe ku marrëdhëniet ishin të vështira. Këtë e kemi parë, siç thashë në shumë vende të botës. Unë e shoh vizitën e Bajden si shumë të qartë.

Ai donte të shkonte në rajon për të rikonfirmuar se SHBA-ja vazhdon të ketë një interes të jashtëzakonshëm në Ballkanin Perëndimor kurse në rastin e Kosovës, që ta bëjë shumë të qartë, si në Kosovë edhe në Serbi, se qëndrimi i SHBA-së rreth Kosovës dhe pavarësisë së saj është i pakthyeshëm.

Mendoj se ky qëndrim është absolutisht i qartë dhe askush nuk duhet të ketë dyshime kudo qoftë përfshirë edhe Beogradin.

Por zoti Bajden tha në Beograd se vendi i tij nuk do t‘i kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë as edhe integrimin e Serbisë në BE?

Nuk e besoj se është plotësisht ajo që ka thënë ai. Ai tha, dhe unë këtë e kam parë vetëm në media, se do të donte të ketë marrëdhënie të mira dhe se nuk është kushtëzim për marrëdhëniet me SHBA-në.

Por në anën tjetër, mendoj se ai ishte shumë i qartë, kur tha se pret nga Serbia që të ndalojë, dhe kësaj radhe po përdor fjalët e mia, megjithëse besoj se kjo ishte edhe porosia e tij, minimin e pavarësisë së Kosovës.

Në njërën anë e duam Serbinë që të kemi marrëdhënie të mira dhe që ta shohim atë si anëtare të BE-së, por në anën tjetër, ju mund ta quani kushtëzim, mendoj se kishte një vijë të qartë të kuqe, se si duhet të sillet Serbia në raport me Kosovën.

Por zoti Jessen Petersen a mund të pritet që tani Serbia, pas kërkesave të zotit Bajden, të ndalojë mbështetjen për strukturat paralele dhe të inkurajojë serbët e Kosovës të marrin pjesë në institucionet e Kosovës?

Mendoj se ishte shumë interesante sërish. Ai foli për serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Kosovës që të mos bëhen viktima të mospajtimeve.

Më kujtohen ditët e mia kur kam thënë të njëjtën gjë, por mendoja se shumë serbë të Kosovës që duan të jetojnë një jetë normale në Kosovë, qenë shndërruar në viktima të politikave në Beograd.

Mendoj se ajo që ai tha, në një mënyrë shumë të mirë dhe diplomatike, ishte që të mos punojnë me disa individë në Kosovë, dhe në veçanti në veri, këtu nënkuptoj në porosinë për Serbinë, që të mos bashkëpunojë me ata që punojnë kundër interesave të shumicës dërrmuese të serbëve që duan të jetojnë një jetë normale.

Por le të kthehemi tek udhëheqja e Kosovës. Ka zëra që thonë se porosia në Prishtinë ishte që udhëheqja kosovare të tregojë vërtet lidership, kur posaçërisht bëhet fjalë për serbët dhe pakicat e tjera?

Mendoj se kjo është një porosi që është përçuar edhe nga të tjerët për udhëheqjen.

Por mendoj se është me rëndësi, që gjithnjë të nënvizohet dhe është përshtypja ime, por më duhet të jem i kujdesshëm, sepse nuk kam qenë në Kosovë për një kohë, por nga lajmet dhe bisedat me miqtë, kam përshtypjen se udhëheqja po punon shumë që ta shtrijë dorën te serbët e Kosovës dhe do të duhej të vazhdonte të bënte një gjë të tillë.

Por në të njëjtën kohë ajo nuk ka qenë e ndihmuar nga Beogradi, që për momentin nuk duket të jetë i interesuar që serbët e Kosovës të jenë vërtet pjesë e Kosovës.

Bajden në Beograd:

"Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian", theksoi Bajden duke shtuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht për mbështetjen e Serbisë në përpjekjet për anëtarësim në BE. Por Beogradi duhet të ndërtojë raporte të mira me të gjitha vendet e rajonit, duhet të ndihmojë në ndërtimin e shtetit multietnik në Bosnjë-Hercegovinë dhe të përmbyllë me sukses bashkëpunimin me tribunalin e Hagës.

Bajden në Prishtinë:

"SHBA-të, e kanë bërë të qartë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk ka kthim prapa, kjo është e para. E dyta, qëndrimi i SHBA-së, është se Kosova në tërësinë e saj duhet të jetë unike, kjo është kërkesë themelore, ky është qëndrimi i politikës amerikane për Kosovën. Dhe e treta, unë mendojë se qeveria e Kosovës ka bërë përparim në këtë vit të parë të pavarësisë, kjo është për t‘u lavdëruar, ndërsa elementi kritik është se qeveria që të punojë që Kosova të jetë një shoqëri shumëetnike, për këtë do ta keni mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›