E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do kenë sukses manovrat për të bllokuar numërimin?

Nga Mustafa Nano

Secila palë ka bastionet e veta në Tiranë, të cilat deri më sot nuk kanë tradhtuar pritshmëritë qoftë në të majtë, qoftë në të djathtë. Ka lagje e zona ku votuesit kanë qenë e mbeten të djathtë, ashtu si ka lagje, ku votuesit kanë qenë e mbeten të majtë. Atëherë? Atëherë, numëruesit e partive, të urdhëruar me sa duket nga lart, përpiqen të vijojnë me numërimin në njësitë e tyre bashkiake, në mënyrë që të nënvizojë një fitore të pritshme të kandidatit të tyre. Pikërisht mbi këtë bazë është ngritur sherri në Tiranë, që ka pjellë një lloj bllokimi relativ të procesit të numërimit. Socialistët duan që të vijojnë me numërimin e kutive të njësisë numër 5, ndërsa demokratët duan të vijojnë me kutitë e njësisë numër 11. Duket si një sjellje idiote, pasi votat janë aty dhe do të numërohen të gjitha. Por nuk është e tillë. Pala që pret humbjen kërkon me këtë veprim të fusë procesin në një si plogështi procedurale, të lodhë aktorët e faktorët që marrin pjesë në këtë proces, të shfokusojë median e gazetarët, të çorodisë ndërkombëtar, e më pas të bëjë ndonjë marifet. Kjo është logjika. Mund tia arrijnë qëllimit. Personalisht nuk besoj.

*respublica.al

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›