A do të fitojë Dinamo me Tiranën?
Dinamo do të përballet në dy javët e fundit të Superligës me Tiranën (ish-kampione e shkurorëzuar) dhe Besën (fituese e freskët e Kupës së Shqipërisë), ku ndaj kësaj të fundit, më 19 maj, do të marrë zyrtarisht edhe trofeun e Kampionatit të 71-të Kombëtar. Blutë, që e kanë siguruar titullin (të 18-in e tyre) prej disa javësh), vijnë në përballje me 24-herë kampionët e Shqipërisë, pas një serie prej shtatë humbjesh rresht (e fundit 4-2 me Laçin) e që ka komprometuar në sytë e specialistëve dhe publikut atë dominim absolut gjatë dy fazave të para të Dinamos.
Dinamo i ka fituar të dyja takimet e fundit me Tiranën më të njëjtin rezultat: 2-1. Muça mundi kroatin Ilija Lonçareviç në fazën e parë (për Dinamon shënuan Bakaj e Sefa), ndërsa në të dytin tekniku blu triumfoi ndaj Alban Tafajt (golat për Dinamon nga Malarkane dhe Bakaj). Përpara përballjes së tretë sezonale, Dinamo e vendit të parë, 58 pikë, ka krijuar një diferencë të qartë prej 10 pikësh me Tiranën e vendit të katërt, 48 pikë.
Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça (tekniku i 11-të që ka fituar një titull me blutë), tha: “Po e përgatis skuadrën për ta fituar ndeshjen. Ne nuk jemi në presionin e rezultatit, sepse i kemi realizuar objektivat tona. Edhe Tirana nuk e ka presionin e rezultatit, ndonëse i ka mbetur një dhjetë përqindësh. Kjo ndeshje është për prestigj”. Në fakt, Muça (4 herë kampion si trajner; 3 me Tiranën, 1 me Dinamon) kishte vendosur heshtjen për shtyp, qysh pas ndeshjes së humbur kundër Vllaznisë (1-2) në “Qemal Stafa”, ndërkohë që gjatë muajit të fundit ish-tekniku i Tiranës ka qenë nën presionin psikologjik nga trajneri “hije”, argjentinasi Blanko, aq sa është folur gjatë në media për një largim të tij menjëherë pas përfundimit të sezonit pavarësisht fitimit të titullit. “Unë nuk di asgjë. Jam ende pjesë e Dinamos”, - tha Muça, i cili ka pasuar në bankinën e Dinamos kroatin Zllatko Daliç sezonin e kaluar, në shkurt të vitit 2009.
Nga Dinamo, trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, ka thirrur Elis Bakajn dhe Emiljano Vilën për miqësoret ndërkombëtare kundër Malit të Zi (25 maj, në Podgoricë) dhe Andorrës (2 qershor, në Durrës).
DY NDESHJET E KËTIJ SEZONI
Faza e parë
Tirana-Dinamo 1-2
Faza e dytë
Dinamo-Tirana 2-1
RENDITJET
PAS 31 JAVËSH
Dinamo
Vendi i parë: 58 pikë (kampion)
Tirana
Vendi i katërt: 48 pikë
13 Maj 2010