E Diel, 1 Nëntor 2026

“Thyhet” moratoriumi i skafeve, ja kush mund të lundrojë në det



Artan CENA
TIRANË - Qeveria ka vendosur që të “thyejë” moratoriumin e skafeve. Me një vendim të marrë ditën e djeshme gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, është vendosur që të lejohet qarkullimi në det i mjeteve lundruese, por vetëm një kategori e caktuar. Gjithashtu janë përcaktuar kushtet që duhet të plotësojë mjeti lundrues dhe personi që e ka në zotërim atë. Sipas vendimit të marrë gjatë mbledhjes së djeshme, lejohet të lundrojnë motorët e ujit, gjithashtu lejohen dhe mjetet motorike në përdorim të organeve shtetërore: Presidencë, Kryeministri, Ministri e Mbrojtjes, Ministri e Brendshme, Ministri e Financave. Gjithashtu lejohen të lundrojnë dhe mjetet e ministrive të tjera dhe të institucioneve në varësi të tyre, por kur këto mjete përdoren brenda veprimtarive të lejuara në Kodin Detar dhe sipas marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe në të cilat Republika e Shqipërisë është palë. Është vendosur që në ujërat territoriale shqiptare të lejohet dhe lundrimi i mjeteve motorike lundruese me flamur të huaj dhe/ose në pronësi të personave a të subjekteve të huaja, si dhe të mjeteve motorike lundruese shqiptare, të përfshira në kategoritë e mëposhtme, të qarkullojnë në ujërat territoriale dhe të brendshme të Republikës së Shqipërisë.
Motorët e ujit
Këshilli i Ministrave ka marrë dje vendimin që të lejohen të lundrojnë në det dhe motorët e ujit. Këto mjete vjet u bënë shumë problem dhe policia organizoi disa aksione për bllokimin e tyre. Sipas vendimit, pronarët e motorëve të ujit duhet të plotësojnë disa kushte me qëllim që të nxjerrin mjetet e tyre në lundrim. “Motorët e ujit” janë klasifikuar si mjete rekreative (çlodhëse), që vihen në lëvizje me anë të një motori turbo, i përshtatshëm për të lëvizur me shpejtësi të madhe. Por si veprohet që të marrësh leje e të nxjerrësh në det motorët e ujit? Në vendimin e qeverisë thuhet se këto mjete lundruese, pasi regjistrohen dhe pajisen nga Kapiteneria e Porteve me lejen e lundrimit, regjistrohen në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, në Policinë e Shtetit, dhe pajisen me një certifikatë përdorimi të mjetit lundrues. Këto akte vërtetojnë përshtatshmërinë e gjendjes teknike të mjetit dhe plotësimin e të gjitha kritereve të përdorimit të përcaktuara që më parë. Por, Kapiteneria e Porteve, si dhe Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit, sa herë që të lëshojnë ose refuzojnë aktet administrative të sipërpërmendura, duhet të njoftojnë institucionin tjetër, si dhe njësinë përkatëse të qeverisjes vendore të vendit ku kryhet veprimtaria, duke u dërguar bashkëlidhur kopje të praktikës dhe të vendimit të marrë.
Kushtet për të dalë në det
Për të dalë në det me një motor uji duhet që ai të përdoret nga person me zotësi të plotë për të vepruar (të aftë fizikisht dhe mendërisht e që kanë mbushur moshën 18 vjeç). Gjithashtu, duhet të përcaktohet orari i përdorimit, zonat (vendet) e përdorimit të motorëve të ujit. Ato duhet të jenë të shënuara në mënyrë të dukshme me shënues të veçantë, ku të tregohen edhe korridoret e hyrjes dhe të daljes nga deti dhe distancat e ushtrimit të lundrimit. Është përcaktuar dhe distanca ku ato mund të përdoren. Kështu, përdorimi i motorëve të ujit të lejohet në një distancë jo më të vogël se 100 - 300 metra (sipas thellësisë së ujit) dhe jo më larg se 1 milje nga bregu dhe largimi dhe afrimi në breg duhet të bëhet me shpejtësi të reduktuar 4 nyje. Nuk lejohet afrimi i motorëve të ujit në një distancë më të vogël se 200 metra te mjetet e tjera lundruese që janë në lundrim, në spirancë, në radet e porteve detare etj.

Përgjegjësitë që mbajnë pronarët e motorëve të ujit
Në vendimin e marrë dje nga qeveria shqiptare, personat që kanë në pronësi dhe në përdorim mjet lundrues (motor uji), mbajnë përgjegjësi për bërjen të njohur përdoruesve të rregullave e të kritereve të përdorimit të mjetit. Ata duhet të mbajnë nën kontroll, si nga pikëpamja vizuale, ashtu edhe nëpërmjet komunikimit e komandimit në distancë të mjetit, gjatë gjithë kohës së lëvizjes së tij. Gjithashtu ata duhet t’i pajisin me veshje të veçanta përdoruesit dhe të kenë mjete shpëtimi.

Kush e mbikëqyr zbatimin e vendimit
Strukturat e Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, si dhe ato të policisë së bashkisë/komunës përkatëse, do të mbikëqyrin veprimtarinë e përdorimit të mjeteve dhe, sa herë që vërejnë shkelje të kritereve të përdorimit, zbatojnë sanksionet e parashikuara me ligj, si dhe njoftojnë Kapitenerinë e Porteve, duke propozuar ose duke ndërmarrë, sipas kompetencave, pezullimin a revokimin e lejes së lundrimit dhe/ose të certifikatës së përdorimit. Ndërkaq që njësitë e qeverisjes vendore nxjerrin urdhëresa të posaçme për kriteret e përdorimit të motorëve të ujit, të cilat duhet të trajtojnë çështje specifike për këta motorë dhe të jenë në përputhje me rregullat e caktuara më poshtë. Mjetet motorike lundruese në pronësi ose në përdorim të ndërmarrjes së mjeteve të shërbimeve detare dhe të subjekteve private, të pajisura me leje për shërbimet portuale nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit.

Mjetet në përdorim të porteve
Lejohen të lundrojnë mjetet motorike lundruese të destinuara për peshkim, ku bëjnë pjesë mjetet motorike lundruese, të cilat kanë fituar klasin si mjete peshkimi, nëpërmjet Regjistrit Detar Shqiptar, dhe që janë të regjistruara si të tilla në regjistrin e mjeteve të peshkimit sipas ligjit “Për peshkimin dhe akuakulturën”. Mjetet motorike lundruese që shërbejnë për transport mallrash, ku bëjnë pjesë mjetet që kanë fituar klasin për transport detar mallrash, nëpërmjet Regjistrit Detar Shqiptar, dhe që janë pajisur me leje nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Mjetet motorike lundruese që shërbejnë për transport pasagjerësh, të klasifikuara nga Regjistri Detar Shqiptar për transport pasagjerësh dhe të licencuara për këtë veprimtari nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit.

Aksidenti
Motori bie në humnerë, një vdes, një plagoset
TROPOJË - Një person humbi jetën në orët e vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë, në momentin që ka qenë duke kaluar në afërsi të urës së Vuçidolit, në rrethin e Tropojës, pasi motori me të cilin udhëtonte bashkë me një të afërmin e tij, doli nga rruga duke rënë në humnerë. Policia e qarkut të Kukësit bëri të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të urës së Vuçidolit, rreth 30 kilometra larg qytetit të Bajram Currit, kur një motor tip "Suzuki" doli nga rruga duke rënë në humnerë. Si pasojë humbi jetën shtetasi Mujë Berisha, ndërsa mbeti i plagosur rëndë Artur Halilaj nga fshati Viçidol. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forcat e policisë, të cilat, pasi dërguan të plagosurin në spitalin civil të qytetit të Bajram Currit, kanë nisur hetimet për shkaqet e këtij aksidenti të rëndë. Paraprakisht mendohet se shkak i aksidentit ishte shpejtësia e madhe.

13 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›