E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i armëve në Maqedoni, mbeten të vrarë 4 persona



Katër persona kanë mbetur të vdekur nga shkëbmimi i zjarrit me policinë, në afërsi të fshatit Radushë të Maqedonisë. Incidenti ndodhi teksa personat përpiqeshin të trafikonin armë dhe eksploziv. Tri nga viktimat janë identifikuar në bazë të dokumentacionit të gjetur, ndërsa është duke u bërë identifikimi i viktimës së katërt. Bëhet fjalë për një person nga fshati Gërçec i Shkupit, një nga fshati Merovë, rrethi i Tetovës, dhe një person tjetër është shtetas i Kosovës. Ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska, tha se shkëmbimi i zjarrit, ku u vranë 4 persona në rajonin e Radushës, ishte rezultat i sulmit ndaj patrullës së policisë maqedonase nga një grup i armatosur, i cili është marrë me kontrabandimin e armëve.
Ngjarja
Autoritetet maqedonase kanë shpjeguar se personat që ndodheshin në një furgon, hapën zjarr ndaj automjetit të policisë. Pas sulmit kanë mbetur të vrarë të katërt personat, ndërsa në furgon ëhstë gjetur një sasi e madhe armësh. “Në orën 2 pas mesnate, gjatë tentimit të policisë për të ndaluar një furgon, personat që ndodheshin në të, hapën zjarr ndaj policisë nga automjeti i markës “Mercedes”. Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme iu kundërpërgjigjen sulmit, ku u vranë 4 persona, të cilët ndodheshin në furgon. Në të është gjetur një sasi e madhe armësh”, bëri të ditur ministrja Jankullovska, e cila tha se në radhët e forcave të sigurisë nuk ka të lënduar. Numri një i dikasterit të policisë tha se nuk ka vend për panik në mesin e qytetarëve, duke theksuar se incidenti nuk kërcënon stabilitetin e vendit.
Reagimet
Partitë politike nuk e kanë komentuar incidentin në fjalë, ndërkohë që banorët lokalë thonë se aksioni i policisë ka krijuar një situatë të tensionuar në këtë zonë. Ndryshe, në rajonin e Radushës, ku ka ndodhur përleshja mes grupit të armatosur dhe forcave të sigurisë, ditën e djeshme u përqendruan forca të mëdha policore, të shoqëruara me helikopterë. Ky incident pasoi atë të para dy javëve në rajonin e Studenës, tri kilometra në afërsi të fshatit kufitar Bllacë, ku u gjetën katër bunkerë me armë, ndërsa pati edhe të plagosur nga ana e grupit të armatosur. Në Prishtinë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani tha për mediat se nuk kanë asnjë informacion se mund të ketë pasur incidente në pjesën kosovare të kufirit me Maqedoninë.

Libi, një i mbijetuar dhe 104 të vdekur nga rrëzimi i avionit

Nga rrëzimi i një avioni në Libi, kanë humbur jetën 104 persona dhe vetëm një fëmijë ka mundur të mbijetojë. Nga 93 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit që ndodheshin në bord, ka mbijetuar vetëm një fëmijë nga Holanda. Shumë nga pasagjerët ishin shtetas holandezë, konfirmoi shoqata e turizmit në Hagë. Avioni i tipit Airbus A 330 i shoqërisë "Afriqiyah" vinte nga Johanesburgu në Afrikën e Jugut. Rrëzimi ndodhi gjatë zbritjes së avionit në aeroportin e Tripolit. “Airbus” premtoi se do të ndihmojë autoritetet në zbardhjen e shkaqeve të fatkeqësisë. Me sa duket pak para uljes ishte konstatuar një defekt në avion. Qeveria libiane përjashtoi atentatin terrorist si shkak të fatkeqësisë.
Sipas gazetës holandeze “De Telegraaf”, kutia e zezë është gjetur. Turistët do uleshin në Tripoli për të marrë avionin drejt Brukselit dhe Dyseldorfit.

Australi
Kapet serbi i shumëkërkuar Dragan Vasilkoviç

Dragan Vasilkoviç, ish-komandant paraushtarak serb i akuzuar nga autoritetet kroate për krime lufte të kryera në vitet 1990 është arrestuar ditën e djeshme nga forcat policore të Australisë. Vasilkoviq ishte zhdukur më 30 mars nga shtëpia e tij në bregdetin lindor të Australisë, pak pasi Gjykata e Lartë e vendit i hapi rrugën ekstradimit të tij për në Kroaci ku ai kërkohet në lidhje me akuzat për krime lufte. Gjatë kohës që ka qenë komandant paraushtarak, ai njihej si Kapiteni Dragan dhe përballet me padi për keqtrajtimin e të burgosurve gjatë luftës.

Greqi
Më 19 maj, grevë e përgjithshme në Athinë

19 maji është caktuar si ditë e grevës së përgjithshme nga punëtorët grekë. Vendimi i djeshëm i sindikatave është marrë pas miratimit nga qeveria të planit të shpëtimit, që përfshin shumë shkurtime në shpenzimet buxhetore. Greva e 19 majit llogaritet se do të bllokojë të gjitha fluturimet nga dhe drejt Athinës, do të bllokojë transportin detar madje dhe ministritë do të jenë të mbyllura. Greva organizohet nga dy sindikatat më të mëdha në vend, që përfaqësojnë sektorin publik dhe atë privat grek.

Turqi
Marrëveshje me Rusinë për ndërtimin e centralit bërthamor

Ankaraja dhe Moska nënshkruan dje marrëveshjen, që Rusia të ndërtojë një central bërthamor në Turqi. Vlera e projektit shkon në mbi 20 miliardë dollarë. Marrëveshja u nënshkrua gjatë vizitës në Turqi të presidentit rus, Dimitri Medvedev. Kjo është një nga disa marrëveshjet që pritet të nënshkruhen mes dy vendeve në fushën e energjisë. Pas takimit me homologun e tij turk, Abdulah Gyl, presidenti rus vlerësoi lart përmirësimin e marrëdhënieve në atë që ai e cilësoi si “lidhje strategjike” mes dy shteteve.

Përgatiti: Blerina Olldashi

13 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›