“S’është koha për probleme të brendshme, të vazhdojë dialogu për reformat e statusit”
Libor Roucek, zëvendëspresident i Aleancës Progresiste të socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian
Grupi i Progresistëve në Parlamentin Evropian shpresojnë se qeveria dhe opozita në Shqipëri do të punojnë së bashku, pasi tejkalimi i kundërshtive aktuale politike, është vendimtar për përparimin e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian
Bashkimi Evropian inkurajon sërish klasës politike në përmbushjen e rekomandimeve të statusit. Zëvendëspresidenti i grupit të socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian, Libor Roucek, u shpreh se qeveria dhe opozita duhet të punojmë mbi rekomandimet e Brukselit, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Sipas tij, kur mbeten dhe pak muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, palët politike duhet të dëshmojnë maturinë dhe seriozitet, në mënyrë që diçka të ndryshojë në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
“Shqipëria është në një moment vendimtar. Progresi i saj vitet e fundit është i prekshëm, por përsëri nevojitet shumë punë për të bërë. Në Shqipëri, shoqëria shqiptare ashtu sikurse dhe partitë politike, janë të ndjeshme ndaj zgjedhjeve dhe ne po përpiqemi që ato të jenë sa më të mira, larg konfrontimeve dhe problemeve. Pra, ka një përpjekje për ndryshimin e situatës dhe ne këtë po bëjmë. Ajo që duhet të bëjë shoqëria demokratike e Evropës, është që të ndihmojë Shqipërinë, të qetësojë situatën në mënyrë që të dyja forcat politike, si ajo që është në qeverisje dhe ata që janë në opozitë, të punojnë së bashku në mënyrë që të mos përsëriten gabimet si ato të zgjedhjeve të fundit. Zgjedhjet po afrojnë, kanë mbetur vetëm pak muaj, dhe rregullat e sjelljes duhet të ndryshojnë”, u shpreh ai.
Numri dy i grupit politik të socialistëve dhe demokratëve, Libor Rouçek theksoi se problemet e brendshme s’duhet t’i kufizojnë Shqipërisë rrugën e integrimit evropian.
“Është koha që t’i lënë mënjanë disa probleme të brendshme sepse për këto do të merreni shumë gjatë fushatës, meqë do të jenë zgjedhjet në qershor. Deri atëherë do të keni kohë e mundësi për t’u marrë me çështjet e brendshme. Kurse për sa i përket integrimit evropian, le të punojmë së bashku, nuk ka rëndësi se cili është në pushtet e cili në opozitë, sepse kjo është në të mirë të Shqipërisë e të shqiptarëve. Shpresoj që disa nga rekomandimet tona të merren seriozisht dhe të punohet mbi to”, deklaroi ai.