Mirësevjen, meshar, libri ynë i parë...
- ën së dashunit së botës s’anë -
Pritje e grumbulluar në breza, ëndërr e përbashkët dhe e atyre që s’janë! Përzier me ca mister dhe me gëzim! Një libër!... i pari fare. Aty nisi... Do t’i afrohemi më shumë se kurrë, do të mund ta shohim si dorën tonë, që shkruan... Meshari i shqiptarëve, i gati 5 shekujve më parë, që ka mbetur i vetmuar në një Bibliotekë të huaj, ndër më të mëdhatë në botë e më të rëndësishmet, vjen në tokën e gjuhës së vet për herë të parë. Sikur kthehet nga një mërgim i gjatë si harrimet. Dhe shpërthejnë emocioni dhe malli, përsiatjet dhe kujtimet.
Rimëkëmbja e një kombi vjen nga e kaluara, nëse e dashuron atë, thotë një i mënçur i madh.
Do të vijë nga qielli Meshari, se libër qiellor është. Me avion nga Roma do të zbresë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe mes pritësve, sigurisht do të dalin dhe hijet e Budit, Bardhit e Bogdanit, e poetëve themeltarë, Naimi e Fishta, do të dalë hija e romancierit të parë shqiptar, Ndoc Nikaj, e atyre që nisën prozën moderne shqipe, Koliqi e Kuteli, gruaja e parë shkrimtare, Musine Kokalari, do të vijnë nga Kosova Mekuli, Shkreli, Podrimja, do të dalin fëmijët me tufa me lule.
Vendoseni në një shtrat topi si heronjtë Librin e Parë, mbështilleni me Flamurin Kombëtar dhe çojeni drejt qendrës së Kryeqytetit, aty ku pret në bronz Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Dhe të presin në radhë shqiptarët, me mijëra, të ardhur nga të gjitha trevat e të shohin Librin e tyre të Parë, ta prekin. Kemi udhëtuar me shekuj drejt tij...
Në kërkim të mesharit: Mesharin së pari e zbuloi në Vatikan gjakovari Gjon Nikolë Kazazi më 1740. Sepse deri atëhere dihej i humbur. Pastaj sikur u harrua prapë dhe më 1909, një vit pas Kongresit të Manastirit, kur si alfabet i shqipes u konfirmuan sërisht shkronjat latine, ato të Mesharit, e rigjeti Pal Skiroi nga Palermo dhe përsëri më 1930 At Justin Rrota nga Shkodra, që e fotografoi në tre kopje dhe i shpërndau.
Më 1968 “Mesharit” iu bë një (ri)botim shkencor në Tiranë me faksimile dhe trasnskribim, paisur me një studim të gjerë nga profesor Çabej.
Ndërsa origjinali dergjej atje, në Vatikanin e ndaluar. Duke u harruar. Studiuesit nuk kishin mundësi të dilnin nga Shqipëria diktatoriale sa herë t’u duhej, por kur nisnin ndonjë, misioni ishte ndryshe…
***
Autori Gjon Buzuku, prifti katolik nga Veriu i Shqipërisë, mbase nga fshatrat e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, famullitar i një kishe jo larg vendit të botimit të librit, ndoshta në trevat e Ulqinit a të Tivarit a gjetiu në Bregun Dalmat, por dhe në Venedik, sipas një mendimi më të përgjithshëm, pra, ai, Buzuku, është kështu dhe autori i parë i letërsisë shqiptare. I botuar më 1555, i papërcaktuar se ku, se i mungojnë 16 faqet e para bashkë me ballinën. “Meshari” i tij nuk është thjeshtë një libër kishtar, që përmban lëndë të ndryshme biblike të përkthyer, liturgji, të shoqëruar me copëza proze tregimtare. Rëndësia e tij është e jashtzakonshme, jo vetëm për historinë e gjuhës tonë, por për gjithë kulturën e kombit, identitetin e tij. Vepra është parë dhe si sintezë e botës së një populli, shpirt dhe mendësi, kahu i ecjes dhe çelsi i shumë enigmave. Aty gjejmë, ndër të tjera, se si kanë folur shqiptarët në Mesjetën e tyre, pa evoluimin e dukshëm të dy dialekteve tona, si ka folur Skënderbeu dhe na bën të besohet që të ketë patur dhe vepra të tjera paraprirëse. Të zhdukura (!?!). Buzuku ndjek kështu një traditë të konsoliduar të shkrimit të shqipes, që do të vijojë dhe me autorë të tjerë. Gjuha shqipe ndjehet e kultivuar, kurse në pasthënie shprehet qartazi dashuria për atdhe si frymëzuese e kësaj bëme për të ndritur mendjet e bashkatdhetarëve. “Meshari” është shkruar me alfabetin latin me shkronja të tipit gjysmëgotik, i zakonshëm në atë kohë në Italinë e Veriut. Dhe për tingujt e shqipes që nuk i ka latinishtja, janë përdorur dhe pesë shkronja të posaçme, të ngjashme me ato të alfabetit cirilik.
Gjithsesi libri ndihmon dhe linguistët indo-europianistë në rrafsh të gjerë.