A duhet modifikuar programi ekonomik, si rrjedhojë e krizës globale?
Recension apo depresion?
Kriza financiare dhe bankare ka nxitur debate të rëndësishme në gjirin e forcave politike të dy krahëve. Pjesë e këtij debati ka qenë dhe procesi zgjedhor brenda PS-së së Francës. Kjo më nxiti ngritjen e një debati të ngjashëm dhe në kuadër të mendimit ekonomik të partive shqiptare. Jo thjesht për një diskutim të vagët të buxhetit për vitin 2008!...
P.sh., brenda PS-së franceze, në kuadër të këtij procesi zgjedhor, Rojal (Segoline Royal) ka mbështetur nacionalizimet pjesore në sistemin bankar, sidomos për t’i detyruar bankat në funksionin e vet natyror të ndihmës ekonomike ndaj ndërmarrjeve. Një nacionalizim i tillë, me pjesëmarrje të pjesshme, e detyron shtetin të përfshihet nëpërmjet këshillit administrativ në një mbikëqyrje të arsyeshme, pa cenuar rolin e bankierëve, apo pa prekur “mjeshtrimin” funksional brenda sistemit. Në mënyrë të ngjashme mund të kërkohet një mbikëqyrje e funksioneve të tjera financiare, p.sh., e kompanive të sigurimeve. Apo vetë kontrolli i prodhimeve të reja financiare, që në shumë raste kanë dëshmuar një ndikim “toksik” brenda vetë tregut. Për më tepër, diçka ka ndodhur dhe askush nuk mund të mendojë se ajo nuk do të shkaktojë pasoja vendore e globale. Aq më tepër që mjaft koncepte e praktika nuk duken më të dobishme. Ato duhen ndryshuar me shpejtësi! Pikërisht arsye të tilla e bëjnë të domosdoshëm debatin politik dhe brenda politikës shqiptare. Pse jo dhe modifikimin e programeve ekonomike të partive politike, sidomos të atyre që pretendojnë pushtetin...
Kush e di?
Në vitin 1953, në një konferencë të rëndësishme, ekonomisti Milton Friedman, theksoi qartë dallimin midis dy tipe krizash: depresionet e rastit si ai në fillim të viteve 30-të dhe recensionet periodike, që kanë njohur në këto dy shekuj ekonomitë e tregut. Vështirësia aktuale është ndeshja e këtyre dy krizave, të shpalosura në mënyrë gati simultane dhe gati të pavarura: kriza bankare e provokuar nga një nivel “toksik” spekulimi; dhe të krizës periodike, që shfaqet nga një ngadalësim i aktivitetit ekonomik botëror. Në thelbin e vet, krizat janë të ndryshme dhe kërkojnë interpretime e reagime të ndryshme.
Kriza bankare, pra, është e një tipi spekulativ. Origjina e saj është oferta në treg e “prodhimeve” me rendiment të lartë, por me risqe të nënvlerësuara apo të kamufluara. Këto “prodhime” janë përpunuar, sidomos në New York, dhe Londër; me këtë shpjegohet dhe tronditja shumë më e fortë e bankave amerikane dhe britanike. Ato janë difuzuar në një raport shumë më të vogël në zonën euro, por konfidenca është, tashmë, tronditur kudo. Si rrjedhojë, vetë bankat kanë pushuar të huazojnë njëra-tjetrën, gjë që shoqërohet me krizë likuiditeti, pra dhe vështirësi krediti ndaj personave dhe ndërmarrjeve. Në zonën euro, masat e marra duken sikur e kanë larguar rrezikun dhe nga ana tjetër është rritur përkujdesi mbi ndonjë “ushqim” të ndonjë cikli të ri spekulativ...
Në fakt, bankat kanë prekur, madje kanë prishur “makinën” e kreditit. Bile, në një farë kuptimi, kjo krizë vjen nga një përzierje arrogance, budallallëku dhe neglizhence prej rregullatorëve financiarë apo bankarë. E tillë është kriza financiare e “subprimeve”, e skanuar nga një rënie e dukshme e çmimeve të shtëpive. Në një kuptim të gjerë, ky “subprime mortgage”, apo kjo kredi hipotekimi, është një kredi me risk të lartë, me një nivel tepër të lartë dhënieje borxhi për të arritur mbulim të tij në raste problematike me garanci hipotekimi. Parë në këtë optikë, “subprimet” janë konsideruar individualisht të riskuara, ndërsa në një plan global ato janë quajtur të sigurta apo rentabël (brenda logjikës së rritjes së lartë të çmimit të pronave të patundshme, pra dhe marrjes së pronës dhe rishitjes së tij). Po të realizoheshin matje të sakta për kreditë klasike imobiliere, kreditë tregtare apo ato të konsumit, deri ato të lidhura me mbulimin e studimeve, me dhënie fonde investimesh, me “hedge funds” (si investime private partneriteti investitorësh të pasur, apo institucionesh me mundësi të shpejta rikthimi, nëpërmjet strategjisë alternative), etj…kriza mund të shmangej deri në vitin 2006. Po ashtu, normat e ulëta të interesit nga Rezerva Federale, të paprekura për një kohë relativisht të gjatë, u imponuan nga efekte të tjera të kundërta. Pa harruar që në qeverisjen Bush, përgjithësisht, aktorët ekonomikë kanë qenë praktikisht të lirë nga presionet administrative. Por, situata sot rezulton krejt e ndryshme. Në përputhje me të ka pësuar dhe një transformim të thellë ideologjik dhe Paulsoni (Henry Paulson), Sekretari Amerikan i Thesarit, më parë shef ekzekutiv i Goldman Sachs. Ai erdhi në këtë detyrë si një “besimtar” i madh i tregut të lirë, ndërsa tani po mbikëqyr një nga ndërhyrjet më të mëdha qeveritare në industrinë financiare. Praktikisht, në kushtet e sotme financiare, ai ka adaptuar një qëndrim tërësisht pragmatist. Ndër to është dhe përpjekja e fundit për të realizuar realitetin opak të “hedge fund”. Aq më tepër që, sipas Sorosit (George Soros), këto fonde do të pjesëtohen me rënien globale financiare dhe vetë kriza mund të “përlajë” gati tre të katërtat e parave që ato kanë menaxhuar…
A mund të shmanget recensioni?
Një goditje e fortë në “Lehman Brothers”, shpalosi rrezikun e vërtetë të gjithë sistemit. Me tej u desh një ndërhyrje e shpejtë dhe e fortë. Rikapitalizimi në të dy anët e Atlantikut u bë impresionues në shumat e hedhura. Por, “pastrimi” i sistemit, sipas Rubinit (Nouriel Roubinit), ish-këshilltar i Klintonit, po rezulton i pamundur, edhe pse në funksionim llogariten afro 3000 miliardë dollarë. Në mënyrë të ngjashme, të njëjtën goditje në fushën e prodhimit të makinave (pra dhe të punësimit), mund ta japin në këtë kohë dhe 3 kolosët amerikanë: GM-ja, Ford-i dhe Chrysler-i.
Në të vërtetë, shpëtimi i Lehmanit, që ishte mbushur me aktive toksike, do t’u jepte një çek të bardhë të gjitha institucioneve financiare, edhe më të kalbura. Pra, në fund të fundit, do të vinte dhe shpërthimi. Parë në këtë vështrim, mëkati origjinal i FED ishte “Bear Stearns”. Duke mbrojtur këtë bankë të vogël të Wall Street-it, në mars 2008, u krijua mendimi i gabuar që mund të shpëtohej gjithçka. Pra, Lehman dhe drejtuesit e bankave të tjera të investimeve, nuk u përpoqën në marrjen e masave radikale për shmangien e falimentimit. Ata menduan që do të ndihmoheshin në emër të rrezikut sistematik. Sot, me marrjen e masave urgjente, të krijohet përshtypja që përkohësisht është mënjanuar rreziku i shembjes së sistemit financiar, por po profilizohet një goditje e rrezikshme e ekonomisë reale. Pasojat e shtrëngimit të kreditit kanë prekur konsumin, investimet, blerjet imobiliere dhe punësimin, me një efekt boomerang mbi treg. Në këtë kuptim, në një situatë ekonomike të errësuar, në 6 muajt e ardhshëm, edhe sikur të injektohet e gjithë paraja që dëshirohet në sistemin financiar, bankat përsëri do të vuajnë një numër të madh kredish të papaguara, dhe mori klientësh e ndërmarrjesh të “patretshme”…
Por, në situatë recensioni po futet dhe Evropa. Madje, në këtë recension global, me një violencë të padëgjuar, shpëtimi i Evropës po rezulton i pamundshëm. Dhe këtu duhen pasur parasysh edhe vetë bankat evropiane, që edhe pse të konsideruara si prudente, janë po ashtu të prekura nga prodhime “toksike”. Pa harruar që, gjysma e obligacioneve të emetuara në SHBA mbi bazën e aktiveve imobiliere “toksike”, janë blerë jashtë saj, më shpesh nga institucionet financiare evropiane. Nuk mohohet që disa prej tyre janë, po ashtu, të ekspozuara në Evropën Lindore, ku, vitet e fundit, disa nga këto rajone me rritje të konsiderueshme janë duke pësuar rënie violente. Një skemë të tillë të rrezikshme mund të shfaqë shumë shpejt dhe vetë ekonomia shqiptare, aq më tepër që me mbulime komuniste dhe suksese të papara, situatat tona mund të rezultojnë edhe ma të papërballueshme.
A mund të shmanget recensioni? Duket shumë vonë. Madje, për çdo mendje normale, bota është futur në këtë proces. Vetëm gënjeshtarët dhe të çmendurit mendojnë për të kundërtën! Vetëm ata harrojnë se kjo krizë aktuale është nga më të ashprat, që nga viti 1929. Pra, ndryshe nga krizat e viteve 1973, 1987, 1998, apo 2001 me shfaqje problematike e zgjatje mesatare maksimale 8-mujore, kjo e fundit, normalisht, duhet të kalojë afro dy vjet. Por jo një skenar katastrofik të vitit 1929. Aq më tepër që përgjigjet e qeverive kanë qenë të shpejta, dinamike dhe të koordinuara. Pa harruar që institucionet financiare të një peshe të konsiderueshme kanë qenë të rikapitalizuara për të shmangur falimentimet e shumëfishta dhe të copëzuara midis dy luftërave botërore…
Kriza si histori e re ekuilibrash ekonomikë.
Kjo krizë, në njëfarë mase, është dhe fundi i perandorisë amerikane. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, që nga viti 1989, antagonizmin e dy fuqive të mëdha, ideologjikisht të kundërta, e zuri një superfuqi e vetme, ajo amerikane që mbizotëroi skenën politike-ekonomike, gati e vetme, në një periudhë 20-vjeçare. “Paranteza” të reja po shfaqen fuqishëm në zona të tjera të globit, ku krahas BE-së po fuqizohen dita-ditës emergjenca të reja si Kina, India, Rusia e Brazili. Në këtë kuptim, riekuilibri i pushtetit, fillimisht ekonomik dhe financiar, më tej ushtarak dhe politik, është i padiskutueshëm. Pra, gradualisht po futemi në një histori të re të ekuilibrave gjeopolitikë. Por jo të përsëriten “paradokset” e mëparshme ku superpërfitimet e bankave në vite kanë qenë plotësisht të privatizuara, ndërkohë që sot, humbjet e tyre janë të nacionalizuara. Në njëfarë mënyre, po shfaqet si emergjente dhe një “formë e re socializmi” që po favorizon më të pasurit, apo shteti i mirëqenies (“l’Etat Providence”), i tipit të kejnezian, lulëzimin e vet e ndesh në Wall Street! Me dashje ose pa dashje, miliardat e injektuara nga shteti, krahas problemeve të goditjes së besimit, reduktimit të humbjeve ekonomike dhe zvogëlimit të vendeve të punës kanë ndihmuar në thelb për të shpëtuar grupe bankierësh dhe investitorësh në situata të tilla...
Sidoqoftë, kryesorja sot është pastrimi i parregullsive të sistemit financiar, dhe më tej gjetja e rrugëve të rritjes alternative. Zgjidhja e krizës, në një perceptim e pozicionim më të gjithëpranuar, nuk është kundër ekonomisë së lirë të tregut, por një kapitalizëm shumë më i rregulluar, me procedura transparente dhe instrumenta mbikëqyrjeje. Sepse, në “laisser-faire” e vet, ekonomia amerikane me “Wild West” e saj, ka shkuar shumë larg këto vitet e fundit, ndërkohë që në disa vende evropiane shfaqej një ndërhyrje e ndjeshme shtetërore, deri diku dhe penguese e krijimtarisë dhe inovacionit. Parë në një rrugë të ndërmjetme, mund të krijohet, gradualisht, një model hibrid, ku tregjet do të inkuadrohen më mirë dhe ndërhyrjet shtetërore në ekonomi shumë më të rregulluara dhe pragmatike...
Edhe nafta është pjesë e këtij perturbimi.
Një sektor i gangrenizuar nga spekulimi financiar, ka qenë dhe ai i naftës. Ndryshe nga kriza apo tronditja energjetike e vitit 1973, ecuria e rritjes së çmimit të naftës, përgjithësisht ka ndjekur rrugën e vet normale. Situata ndryshoi thellësisht vetëm këto vitet e fundit. Ndryshe, nuk mund të shpjegohej kohët e fundit rënia kaq e madhe e çmimit të naftës, ndërkohë që Banka “Goldman Sachs”, që në qershor bëri prognozën e pranueshme të 200 dollarëve për fuçi. Aktualisht po tentohet tek çmimi për fuçi me afro 50 dollarë. Më shumë se shitja apo blerja e naftës, spekulimi në këtë treg lidhej me përfitimin monetar nga evolucioni i kursit. Ky spekulim është “fryrë” më tej me zhdukjen e likuiditeteve brenda tregut të mirë. Bile, fondet me rreziqe u përfshinë, në këtë mënyrë, në të gjithë depozitivin ekonomik. Këto risqe të tilla pritet të prekin rëndë dhe ekonominë ruse, e cila po lulëzonte aktualisht në bazë të spekulimit të këtij tregu...
Një axhustim ciklik. Ilaçe të vërteta, apo të gënjeshtërta.
Një etapë shqetësuese e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik botëror është e shfaqur në tremujorin e parë të 2008-s. Ajo ka shprehur karakterin ciklik të axhustimeve të mëdha midis ofertës dhe kërkesës, konsumit dhe investimit, shpenzimit dhe kursimit. Impulsin fillestar ky proces ngadalësimi e ka marrë nga SHBA-të, i amplifikuar mbi të gjitha nga rritja e çmimit të naftës dhe e materialeve primare. Gradualisht, një evolucion i ngjashëm u theksua brenda vendeve të BE-së apo disa ekonomive emergjente. Ai u markua nga një rënie konsumi dhe eksporti.
Thellimi i kësaj faze e rëndoi më tej këtë krizë, duke ndërthurur rënien e zakonshme me atë financiare. Si e tillë, e ndërthurur në thelbin e vet, ajo nuk përfshin vetëm sektorin bankar, por dhe vlera reale të konsumit e investimit, pra nënkupton dhe rënie të ndjeshme në nivelin e jetës dhe të punësimit. Kjo shpjegon dhe peshën e rëndë të shfaqur në tregun e bursave. Në këtë kuptim, masat e marra në favor të bankave mund të sjellin një përmirësim të përkohshëm të prirjeve bursiere. Antisipacioni i nivelit të aktivitetit ekonomik dhe rezultatet e ndërmarrjeve mund të përcaktojnë nivelet e ardhshme të kursit të tregjeve financiare. Pa harruar që, deri tani, në shumë drejtime, praktikisht ka ndodhur një korrigjim i fortë i rendit 30%. Parë në këtë optikë, një “zbythje” e mëtejshme e kursit të tregjeve financiare mund të rezultojë e shëndetshme...
Së fundi, pas një stuhie, një pemë nuk shpëton prej degëve, gjetheve dhe fryteve, por rrënjëve të saj. Kjo vlen dhe përkundrejt kësaj krize, mbështetur nga përvojat e mëparshme që kanë identifikuar ilaçet e duhura apo ato false, që e kanë mundur të keqen apo e kanë shtuar ose mund ta shtojnë atë. I tillë duket dhe mendimi mbi ruajtjen apo rritjen artificiale të konsumit që favorizon fillimisht importet, apo dhe “shpresa” e përqendrimit në kantiere të mëdha pune, me fonde buxhetore tej mundësive reale. Madje, ato në shtrirje të gjata kohe kanë efekte mjaft të dobëta ekuilibri. Më me vlerë duket simulimi i investimit në ndërmarrje të përmasave të ndryshme, në pikëpamje të produktivitetit dhe të aplikimit të teknologjive më efektive. Nga ana tjetër, një pjesë e udhëheqësve botërorë, mbështetur dhe në orientimet e fundit në Samitin e Uashingtonit, besojnë mbi masat e propozuara për më shumë kontroll e transparencë në fushën financiare e buxhetore, apo ato të lidhura me politikën monetare. Kjo, edhe pse rëniet e dukshme në bursat më të rëndësishme botërore, edhe pas këtij samiti, flasin se ende jemi larg gjetjes së medikamentit të shpëtimit!...