E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, Xhafaj: Qeveria po nënshtron drejtësinë

Partia Socialiste propozon ndërmarrjen e disa masave të menjëhershme, të reflektuara në projektbuxhetin e shtetit 

TIRANË- Plotësimi i kërkesave financiare të institucioneve të sistemit të drejtësisë, është kushti që i vë Partia Socialiste qeverisë, për vijimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Në një dalje të posaçme për mediat, sekretari socialist për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, në emër të partisë që përfaqëson, ka bërë të qartë se PS-ja nuk do të mundë të bashkëpunojë me qeverinë për reformën në drejtësi, për sa kohë ajo do të tentojë që të nënshtrojë këtë pushtet nëpërmjet kufizimeve financiare. “Ne i përgjigjemi zotit Berisha me një gjë shumë të rëndësishme, t’i japë këtij pushteti mbështetjen buxhetore të nevojshme. Hapi i parë fillon nga ky, le të shikojmë si do ta realizojë këtë hap dhe pastaj të flasim për hapat e tjerë”, - tha Xhafaj.

Buxheti

Partia Socialiste është e bindjes se për të garantuar një mirëfunksionim të sistemit të drejtësisë në tërësi, është e domosdoshme që shteti të realizojë një mbështetje financiare të këtij sistemi, sipas një plani veprimi të shtrirë në një hark kohor disavjeçar, duke arritur deri edhe në përcaktimin e një niveli financiar, si një përqindje e caktuar e PPB-së. Mbështetja financiare, në mënyrë të posaçme, duhet të konstatojë në rritjen e pagave të gjyqtarëve, prokurorëve dhe të gjithë funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë, përmirësimi i infrastrukturës së godinave të gjykatave dhe prokurorive, siguria e funksionarëve të drejtësisë, dëshmitarëve, ekspertëve në ambientet e institucioneve, apo edhe automatizimi dhe kompjuterizimi i veprimtarisë së të gjitha institucioneve të sistemit. Të gjitha këto nevoja që, sipas PS-së nuk sugjerohen vetëm nga Pakti për Drejtësi, por edhe nga të gjitha raportet ndërkombëtare, nuk janë marrë parasysh nga ana e mazhorancës. Nisur pikërisht nga ky fakt, PS-ja thekson se deklaratat e kryeministrit për të bërë reformën në drejtësi, nuk janë gjë tjetër veçse demagogji, pasi sipas saj, nuk mund të ketë reforma pa mbështetje financiare. “Eshtë e pamundur që ne të kemi një infrastrukturë të shëndetshme të sistemit të drejtësisë në vend, nëse u referohemi investimeve të tre-katër viteve të fundit. Investimet e alokuara nga buxheti i shtetit për vitet 2006, 2007, 2008, të marra së bashku, mezi kalojnë nivelin e shifrës të vitit 2005. Ndërsa parashikimi për vitin 2009, nuk është as sa 70% e vitit 2005”, - u shpreh Xhafaj, duke iu referuar pikërisht projektbuxhetit të shtetit. Sipas tij, pothuajse të gjitha institucionet që e përbëjnë këtë sistem, kanë paraqitur një sërë vërejtjesh dhe kërkesash për shtim fondesh, jo vetëm për investime, por edhe në shtimin e kapaciteteve njerëzore për përballimin e volumit të punës. Sipas PS-së, shifrat që ofron projektbuxheti dëshmojnë dhe një herë se sistemi i drejtësisë nuk është një prioritet real i kësaj qeverisjeje, por është një pushtet që po tentohet me çdo kusht të vihet nën urdhrat dhe komandën politike e antikushtetuese të kësaj maxhorance. “Ky realitet dëshmon se kemi të bëjmë, jo me një buxhet që mbështet reformimin e sistemit, por më një buxhet që synon nënshtrimin e sistemit”, - shpreh Xhafaj.

Zgjidhja

Për t’i dhënë një imazh tjetër sistemit gjyqësor dhe për të realizuar sugjerimet e ndërkombëtarëve për këtë sistem, Partia Socialiste propozon ndërmarrjen e disa masave të menjëhershme të reflektuara në projektbuxhetin e shtetit. Kështu, sipas saj, në projektbuxhet duhet të përcaktohet një nivel minimum përqindjeje, që duhet të zënë fondet buxhetore për sistemin e drejtësisë, përfshi këtu edhe MD-në, që në total, kjo shifër duhet të jetë jo më pak se 1%. Gjithashtu, ajo propozon që t'i jepet buxhetit të institucioneve të drejtësisë dhe, veçanërisht KLD-së, ZABGJ-së, PP-së dhe Shkollës së Magjistraturës mbështetja e kërkuar buxhetore, lidhur me shpenzimet operative që fokusohen te prioritet e përcaktuara, si dhe fondi i kërkuar për investimet, të paktën sipas parashikimit të bërë nga Programi Buxhetor Afatmesëm. Por, PS-ja shkon edhe më tej në qëndrimin e saj karshi trajtimit financiar të këtyre institucioneve, duke sugjeruar edhe burimet ku do të gjenden fondet për të përballuar rritjen e këtij buxheti për këtë fushë. Sipas Xhafës, lekët e nevojshme në këtë rast, mund të gjenden nga ajo që ai e konsideron si shkurtimi i abuzimeve me fondet buxhetore që i akordohen segmentit Rrëshen – Kalimash. “Buxheti për këtë rrugë kap mbi 90% të buxhetit të investimeve për vitin 2009. Nga shkurtimi i buxhetit për qeverinë dhe ministritë e linjës, të cilat mund të zëvendësohen nga kursimet e sjella nga lufta antikorrupsion me shtesën e buxhetit të vitit 2009”, - shtoi Xhafa. Një tjetër burim, sipas socialistëve, mund të jenë dhe paratë që do të vijnë gjatë vitit 2009 nga privatizimi i ndërmarrjeve apo kompanive me kapital shtetëror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›