E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani, ku gazetarët duhen për lajme të mira

Ditari i Teheranit. Ditët në stendën shqiptare me iranianët e mrekullueshëm, me rojet e sigurisë që shkatërrojnë kasetën me filmime të “Shekulli”-t. Anulimi i vizitës së presidentit Ahmadinexhad dhe zhgënjimi i gazetarëve të huaj. Dhe një popull që mban sytë te zgjedhjet e qershorit 2009

“Në orën 12 ju pres në ambasadë”. Alibeman Eghbali Zarch, të pret mesditën e 26 nëntorit në zyrën e tij te Ambasada e Republikës Islamike të Iranit, përballë pallatit ku jeton kryeministri Berisha. Nuk e fsheh se është qejfprishur, ndërsa në dorë ka dy fletë A4, përmbledhje në gjuhën farsi e artikullit të botuar dje në gazetën “Shekulli”. Ambasadori iranian është mik i vjetër i gazetarëve dhe flet miqësisht, duke thënë se pjesa e parë e shkrimit për Iranin është i njëanshëm. Përmend disa raste kolegësh apo gazetarësh iranianë që kanë ardhur në Shqipëri dhe ose u kanë vjedhur kuletën apo makinën, por thotë se kjo nuk është Shqipëria që ndërtohet përditë, që zhvillohet dhe ka njerëz shumë të mirë. I tregoj pluset dhe minuset e përvojës 8 ditore në Teheran dhe kushtin e vetëm që, duhet të respektojmë kodin e etikës, të shkruajmë vetëm realitetin dhe gjithçka të jetë në gojën e njerëzve, jo trillim dashakeqës dhe se pas dikaturës 50-vjeçare, gjëja më e shtrenjtë që gëzojnë sot shqiptarët është liria e shprehjes. Në fund i uroj që të mos ketë probleme me autoritetet, sepse është përpjekur shumë me burokratët që dy gazetarë shqiptarë të shkonin në Iran dhe kërkoj që personazhet që kanë folur me mua dhe janë cituar në gazetë, të mos përndiqen në atdheun e tyre dhe ambasadori më siguron për këtë të fundit.

E kuptoj ambasadorin Zarch, sepse një javë në Panairin e 15 Ndërkombëtar të Medias dhe Agjencive të Shtypit, mjafton që të kuptosh gjendjen e medias në Republikën Islamike dhe të vendeve të tjera.

Mohammad Bagheri, erdhi paraditen e 19 nëntorit në stendën shqiptare për të më marrë një intervistë. Të bën të ndjehesh në siklet. Mbi të 60-at, me shenjat e dukshme të parkinsonit, kolegu që punon për njërën nga gazetat e shumta qeveritare, bisedon me një anglishte të ëmbël. I sqaroj se në Shqipëri vetëm dy gazeta janë pro qeverisë dhe të tjerat janë kritike, se nuk ka dënime për gazetarët, se nuk ka censurë, se kryeministri i vendit, megjithëse është autokratik, nuk e prek lirinë e medias. Bagheri shikon i habitur dhe ul kokën, i qeshur dhe i përskuqur. Mban shënim në farsi dhe i them troç se nuk e besoj që do t’i shkruajë ato që them. Kolegu iranian ul kokën edhe më shumë dhe ikën duke dhuruar buzëqeshje që të bën të ndjesh keqardhje.

Media iraniane ka një histori të gjatë dhe të suksesshme. “Etelat” ka një të shkuar mbi 82-vjeçare. Ishte nisur si një gazetë private dhe shumë shpejt pati sukses, duke u bërë një zë i rëndësishëm derisa u shtetëzua, si gjithë të tjerat,pas fitores së Revolucionit Islamik. Tani shet rreth 200 mijë kopje në ditë dhe renditet te gazetat proqeveritare. Gjithçka bëhet me cikël të mbyllur dhe përveç gazetave dhe revistave, aty botohen me mijëra libra. “Hamshahri” themeluar nga ish-kryetari i bashkisë së Teheranit, Gholamhussei Karabashi, ishte një prej gazetave të rëndësishme të Iranit, me një tirazh rreth 400 mijë kopje, shumë e njohur për pozicionin e saj të moderuar dhe mbështetëse e ish-presidentit Khatami.

Pastaj vijnë të përditshmet e tjera, në gjuhën angleze, si “Iran Daily”, “Tehran Times”, gazetë e Ministrisë së Jashtme Iraniane, “Zan” që merret me problemet e grave dhe revista si “Gozaresh”, e pavarur që i drejtohet një publiku të zgjedhur. Në qindra stendat e panairit të gazetave dhe agjencive të shtypit të Iranit apo vendeve të tjera islamike, gjen vetëm gazeta të mbushura me lajme zyrtare dhe serioze, të shoqëruara me foto të liderit suprem Khamenei, presidentit Ahmadinexhad, ministrave, apo të zyrtarëve të tjerë. Revistat për familjen janë të shumta, por të mbushura me artikuj të gjatë për vlerat e familjes islame, të shoqëruara me fotot tradicionale, gra me hixhab, të lumtura pranë bashkëshortëve të tyre, gjyshe me nipërit. Një seksion të veçantë e zë presidenti Ahmadinexhad, që kur ishte i ri, deri ditët e sotme. Portreti tipik i udhëheqësit populist, gju më gju me popullin, duke dhënë dekorata, inauguruar vepra publike, apo duke ngrënë me popullin.

Pavionet e shtypit të huaj në Panairin e 15-të Ndërkombëtar të Medias dhe Agjencive të Shtypit, zënë një pjesë shumë të vogël të “Imam Khomeini Grand Mosalla”. Është faltorja më e madhe ende në ndërtim, që do të presë lutjet e të premtes. Shumica janë vende me popullsi muslimane, ndërsa Europën e përfaqësojnë vetëm Gjermania, Franca dhe Shqipëria, ndërsa nga përtej Atlantikut është pavioni i SHBA-ve, ku përballë mijëra kureshtarëve iranianë është gazetarja e “Boston Globe”, Farah Stockman. Përballë dhe në krah të tyre janë dy pavione të mëdha të Palestinës, që përfaqësohet nga lëvizja Hamas. Janë stenda luftarake, të mbushura me fotografi dhe karikatura që dënojnë pushtimin izraelit të territoreve palestineze. Duhet një ngarkesë traileri në ditë, që të shuash urinë e iranianëve për të parë gazetat e huaja. Ngjajnë si fëmijë të lumturuar pas figurave. Nuk kuptojnë asgjë nga shqipja, por përpijnë fotot, mënyrën e dizanjit, ngjyrat e forta të layot-it. Revistat “Spektër”, “Arti i kuzhinës”, gazetat “Shekulli”, “Sporti Shqiptar” dhe “Gazeta Shqiptare” zhduken ende pa u vënë në banak. Shpëtojnë vetëm ato që janë ngjitur nëpër stenda, por edhe ato përlahen paraditen e 23 nëntorit, kur mbyllet panairi. Iranianët rrëmbejnë edhe katalogët e shitjeve të firmës 2K, në kopertinën e pasme të cilëve është një foto e një vajze të bukur që bën reklamën e televizionit A1.

E diel, ora 9.35 minuta me orën lokale. Gazetarët e huaj janë sjellë herët në vendin ku mbahet panairi. Por mbahen të “burgosur” mbi 40 minuta në dy furgonët e vënë në dispozicion nga Ministria e Kulturës, përballë ndërtesës gjigante të “Grand Mosalla”. Pastaj lejohen të shkojnë te pavionet e tyre, por duke kaluar te detektori metalkërkues, duke iu marrë kamerat dhe laptopët.

Presidenti ka hyrë pa u ndjerë nga ana tjetër e faltores. E gjej atje mbuluar nga njerëzit, në mes të ministrit dhe të zëvendësministrit të Kulturës. Ndalon nëpër pavionet vendase, takon njerëzit. Udhëheqësi trupimët i takon të gjithë. Njëri nga kandidatët për “Njeriun e vitit 2008” është vetëm 2 metra përballë meje. Përfitoj nga rasti dhe… “Mr. President…”. “Bia, bia, bia” (ec, ec, ec). Më ngec në fyt pyetja: “Kur do ta njohë Irani pavarësinë e Kosovës”? Truprojet të shkelin me këmbë. U tregoj dokumentin e varur në qafë të lëshuar nga Ministria e Kulturës së Iranit, por..”Bia, bia, bia”. Një zyrtar më tërheq lehtë dhe më thotë se mund ta pyes kur të vijë për të vizituar pavionet e shtypit të huaj.

Kolegu francez nxiton dhe e pyet presidentin: “Keni ndonjë mesazh për zotin Sarkozi”? Ahmadinexhad bën sikur nuk dëgjon dhe vijon me durim të vizitojë të gjitha pavionet e shtypit iranian. E presim në stendat tona, me durim që të lëshojmë pyetjet e përgatitura për udhëheqësin që ka shumicën e botës kundër, që nuk njeh Izraelin apo holokaustin dhe që tallet në zemër të OKB-së me Bushin dhe krizën financiare botërore, që nuk ka prekur ende zyrtarisht Iranin. Në ora 10.30 njoftohemi se presidenti ka ikur. Gazetarët revoltohen. Në shenjë proteste fillojnë të mbledhin gjërat nëpër stenda dhe të ikin. Zyrtari i Ministrisë së Kulturës, vjen dhe dhe sqaron diçka: “Ishte planifikuar që t’u mblidhte të gjithëve te salla VIP, por i doli një takim i rëndësishëm dhe u detyrua të largohej”.

Gazetarët nuk qetësohen dhe vijojnë të mbledhin sendet e tyre. Nga hyrja kryesore e faltores dëgjohen zhurma dhe thirrje njerëzish. Punonjësit e sigurimit heqin detektorin dhe dhjetëra njerëz shpërthejnë portën. Filmoj i qetë për një minutë, deri kur një civil me radio vjen drejt meje dhe më rrëmben kameran nga dora. Duhet ndërhyrja e z. Maliki, punonjësit të Ministrisë së Kulturës, që civili i Sigurimit të pranojë të bisedojë. Por duhet shkatërruar patjetër kaseta. Shpëton vetëm filmimi gjashtëminutësh i vizitës së presidentit, tjetra është sfond i zi. Dhe gjithçka është filmuar nga kolegu i “Gazeta Shqiptare”, fshehur pas një pankarte. Më vonë, punonjësi i Ministrisë së Kulturës, Maliki, të kërkon falje në emrin e vet dhe të civilit të Sigurimit. Jashtë Mosalla-s, gazetarët e huaj nxitojnë të ikin dhe mbrëmja e përshëndetjes nuk bëhet.

Pabarazia sociale

Nga kulla Milad te orizi, hendeku që ndan Iranin 2008

Kulla “Milad” është krenaria e Iranit modern, fytyra e një superfuqie ekonomike. E lartë 435 metra, vepër e arkitektitDr. Mohammad Reza Hafezi, kulla tetëkëndore me emrin që do të thotë “të lindësh”, ngrihet mes lagjeve Shahrak-e Gharb dhe Gisha të Teheranit, që duket në 335 metra një metropol pa fund. Është godina e katërt më e lartë në botë, pas asaj “CN” në Toronto, Ostankinos në Moskë dhe “Oriental Pearl” në Shangai. Gazetarët e huaj, të ftuar në panairin e medias, janë ndër të paktët që kanë patur fatin ta shikojnë Teheranin nga 335 metra lartësi, ku është kupola e xhamtë.

E nisur që më 1997 dhe më një kosto që mendohet se arrin në 12 miliardë dollarë, kulla “Milad” të shkon mallin e arkitekturës së lashtë perse dhe superfuqisë ekonomike të vendit të pasur me pasuri të shumta energjetike dhe njerëzore.

Ajo mendohet ta nxjerrë koston e ndërtimit brenda pesë viteve dhe ciceroni iranian të tregon se ambientet janë të prenotuara që tani për dy vitet e parë, se antena 100 metra e lartë mbi kupolën e xhamtë, do të jetë një shërbim i çmuar për meteorologjinë, telekomunikacionin dhe informacionin.

Prej aty shihet metropoli i pamatë, që ditën arrin deri në 15 milionë banorë dhe natën 12 milionë.

Ndërtime gjigande, infrastrukturë moderne dhe miliona njerëz që rendin në këmbë, makinë, apo nga katër aeroportet e kryeqytetit. Ndërsa kërkon tapete të vjetra persiane, 90 minuta larg qendrës, je në zemër të lagjes së më të pasurve të Teheranit. Janë vila superluksoze, 3-4 katëshe, të veshura nga jashtë me mermer dhe të rrethuara nga mure të larta. Hyrjet e rrugëve për në lagje, natën, mbyllen me porta.

Irani është një superfuqi. Me një prodhim kombëtar vjetor mbi 760 miliardë dollarë në vitin 2007, vendi i persëve të lashtë, kërkon të fitojë kohën e humbur duke prodhuar gjithçka, deri te energjia bërthamore, për të cilën ka aq shumë probleme me gjysmën e globit. Por problemet mbeten edhe pas shumë dekadave reformash ekonomike të kryera nga regjimi i Shahut, apo i Revolucionit Islamik.

Një gazetar vendas thotë se dyfishimi i çmimit të orizit, ushqimi kryesor për miliona familje, ka cenuar mbijtesën, në një vend ku rroga mesatare është rreth 200 dollarë amerikanë. Ali Reza, gazetar i një gazete të përditshme, vjen nga qyteti Ahvoz. Me 2 milionë banorë, afër kufirit me Irakut, qyteti e ka pësuar shumë shtrenjtë agresionin e nisur nga regjimi i Sadam Husein, që la qindra mijëra viktima dhe shkatërrime të shumta materiale në Iran. Reza thotë se vendi i tij është i pasur me naftë, por njerëzit janë të varfër. Nina Nalevane, jeton në Teheran, qyteti që ka dy herë më shumë shtrenjtësi se qytetet e tjera. Iraniano-amerikanja jeton në një lagje të pasur të Teheranit. Ka pasaportë iraniane dhe amerikane. Kur pyetet nëse do të jetojë më mirë në Los Anxheles se në Teheran, ajo thotë: “Jo, Irani është vendi im dhe këtu dua të vdes”. Ashtu si Samo Salari, 23-vjeçarja që ëndrron të blejë një makinë, ndoshta një “Peugeot 206”, të prodhuar nga fabrika “Khodro” dhe të bashkohet me miliona femrat iraniane që ngasin makinat rrugëve të Teheranit, sepse nuk mund të jetojë në asnjë vend tjetër përveç Iranit.

Sytë janë te zgjedhjet e 12 qershorit 2009 dhe te kursi i ardhshëm që do të marrë vendi. Duke synuar, si për ironi të fatit, një model amerikan. Ish-kryetari i Parlamentit, Mehdi Karoubi, konkuron me ish-presidentin Khatami për të fituar kandidaturën për president në mesin e reformistëve. Gazeta që ai drejton është njëri prej zërave më të fortë kritikë ndaj presidentit Ahmadinexhad. Ndërsa mbështetësit janë shtuar, megjithëse ka skeptikë. Si një student që e vlerëson kursin e reformistëve, por jo drejtimin tetëvjeçar të ish-presidentit Khatami: “Ai na gënjeu. Iu nënshtrua Perëndimit, por nuk fitoi asgjë në këmbim. Por, edhe kështu, dhëmb për dhëmb, është shumë vështirë, sepse ne duam të jetojmë të lirë dhe në paqe”.

Incidenti me revistën “Spektër”

Censura ndaj medias, hiqet nga stenda portreti i Besës

Ishte parathënë gjithçka mesnatën e 15 nëntorit, 5 minuta para se të hynim në aeroportin e Teheranit. 20-vjeçarja pas meje, në avionin e “Turkish Airlines”, është Ann, një bionde elegante nga Kopenhagen. Ende pa zgjidhur rripin e sigurimit, vë velin, një cohë të tejdukshme ngjyrë bezhë. Na ishte thënë edhe në e-mail-in e dërguar nga Amabasada Iraniane në Tiranë, ku i vihej rëndësi që të mos ekspozonim figura me femra të zbuluara. Besa Kokëdhima ishte kopertina e një numri të revistës “Spektër”. Vështrimin serioz ngulur te fokusi i aparatit, lëkurë të bardhë dhe flokë të zeza, supet e zhveshur që vishen nga errësira. Tërhoqi me mijëra shikime kurioze dhe të trembura. Samo thotë se është një vajzë shumë e bukur dhe i shpjegoj se është këngëtarja më e dashur e të rinjve shqiptarë, ka një “zë të zi” dhe ka studiuar në Londër. Pastaj vjen punonjësi i Ministrisë së Kulturës: “Duhet ta hiqni menjëherë, nuk shkon, ligji thotë….”. Rezistoj: “Nuk mundem, është vajza e bosit tim, po e hoqa më heqin nga puna. Pastaj ajo nuk është e zbuluar”. Nëpunësi iranian tërhiqet dhe unë i gëzohem fitores së parë mbi ligjin islamik. Deri në orën 18.00 të 16 nëntorit, Besa është atje në stendën e Shqipërisë. Të nesërmen nuk e gjej të varur mes gazetave “Shekulli” dhe “Sporti Shqiptar”. Nuk bëj zë. E gjej poshtë një banaku…

Hoxha dhe Kadare, të vetmet shenja të Shqipërisë për iranianët

Albani? Në Rusi? Jo është afër Italisë, sipër Greqisë…Enver Hoxha? Ismail Kadare? Të vjetrit mbajnë mend vetëm ish-diktatorin komunist që mbështeste regjimin e ri të Khomeinit, pse ishte kundër SHBA-ve në vitet ’80, ndërsa të rinjtë as nuk kanë dëgjuar për Shqipërinë ndonjëherë.

Shfrytëzohet interneti dhe një hartë e “Google earth”, apo faqja on-line e fondacionit “Saadi Shirazi”, që është edhe në shqip edhe në gjuhën perse.

Shqipëria nuk ka ambasadë në Teheran, megjithëse Irani ka në Tiranë ambasadorin Zarch, të palodhur për t’u takuar me të gjithë për të ngritur urat e vjetra të miqësisë. Iranianët e vjetër habiten kur u thua sa popullor është në Shqipëri Omar Khajami, se Naim Frashëri, lirikat e tij i shkroi edhe në persisht, se shumë kanë lexuar “Gjylistani dhe bostani”. Medrit Mustafaraj është njëri prej studentëve të paktë që ende gjenden në Teheran. Bën masterin për IT, sepse shkolla iraniane ka një nam të shkëlqyer. Një amerikano-iranian ka një njohje më të thellë. Jetoi për shumë vite në Nju Jork, afër shumë shqiptarëve në Kuins. Vëllai i tij e hëngri një ditë, kur shkoi në aeroportin “Kenedi” dhe shqiptoi rrëmbyeshëm destinacionin Teheran, që nga kontrollori amerikan ishte ngatërruar për Tiranë dhe ai kishte humbur avionin…Zëvendësministri i Kulturës së Iranit, Malekiani, sheh te stenda e Shqipërisë portretin e ambasadorit Zarch në Tiranë dhe thotë se Irani duhet të ketë marrëdhënie të mëtejshme me Shqipërinë, të cilat nuk ndikohen aspak nga politika globale, por duke parë interesat dhe lidhjet mes popujve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›