Gjirokastër, bllokohen kanalizimet e rrugës, shkak rikonstruksioni
Rikonstruksioni i aksit rrugor kthehet në shqetësim real për banorët, për shkak të problematikave të krijuara. Ndryshe nga sa pritej, punimet për ndërtimin e rrugës mes pallateve në lagjen 18 shtatori në Gjirokastër, prej më shumë se tri javësh janë kthyer në një ankth të vërtetë për banorët e pallatit 68, por edhe për zonën përreth. Fenomeni i bashkimit të ujërave të bardha me ato të zeza, si shkak i bllokimit të kanaleve është prezent, duke krijuar një situatë aspak të këndshme, ndërsa banorët i tremben përhapjes së ndonjë epidemie të mundshme.
"Punimet për ndërtimin e rrugës kanë bllokuar kanalin e ujërave të bardha dhe gjatë ditëve me reshje ne përmbytemi. Po kështu, kanë zënë edhe tubacionin e ujërave të zeza, duke bërë që rreth pallatit të krijohet një ambient tërësisht jo higjienik, si rezultat i ujërave të zeza që kanë dalë në sipërfaqe. Shpeshherë jemi ankuar për këtë problem, por askush nuk na ka dëgjuar. Asnjë prej nesh nuk e meriton këtë situatë, por ajo që është më e keqja është rreziku i përhapjes së ndonjë epidemie, është shprehur Vaso Pesha, njëri prej banorëve të pallatit 68 në lagjen 18 shtatori. Në këtë pallat jetojnë 12 familje, të cilat kanë paralajmëruar për protestë, madje deri në bllokimin e punimeve. nëse nuk do të merren masa të menjëhershme për ndryshimin e gjendjes.