Një lëvizje që paralajmëron manipulimin
Pandeli Majko/Deputet i PS-së
-Grusht shteti nuk është dalja e tankut në mes të bulevardit, pasi sot ka mënyra të ndryshme për ta bërë. Dhe një nga këto mënyra është të manipulosh zgjedhjet Në paraqitjen e relacionit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, bën përshtypje arsyetimi për zëvendësimin apo largimin nga detyra e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Ilirian Muho. Dhe ky arsyetim është ndryshimi i baraspeshimit politik. Po citoj relacionin: “Ndryshimi i baraspeshimit politik sipas Partisë Demokratike shuan shpresat për një proces të ndershëm të shqyrtimit të ankesave zgjedhore nga administrata zgjedhore. Prishja e baraspeshës, në formën si është realizuar, me zhvillimet e fundit politike, është paralajmërim i manipulimit dhe provë e platformës përsëri për manipulim”. Këtu lind një pikëpyetje shumë e madhe: z. Muho si një balancë politike e pandryshuar, do të realizojë zgjedhje të lira, të ndershme në Shqipëri, ndërsa me një balancë politike të ndryshuar, ai do të jetë, nën qeverisjen e PD-së, garant i manipulimit të zgjedhjeve të 23 qershorit? Është shumë e çuditshme sesi një qeveri, në një vend anëtar të NATO-s, vjen dhe i thotë publikut se vetëm një anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të bëhet garant i manipulimit të zgjedhjeve bazuar mbi një ligj të Kodit Zgjedhor, të cilin e ka reklamuar deri më sot si garant të zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri. Ajo që nuk po kuptohet në të gjithë këtë histori është se PD-ja shprehet me formë të shkruar, se një njeri, thjesht se është propozuar nga një parti si Lëvizja Socialiste për Integrim, mund të kthehet në garant të manipulimit të zgjedhjeve, duke sfiduar të gjithë Kodin e rregullave zgjedhore në Republikën e Shqipërisë dhe mund të bëhet, po e përsëris, me ministrin tuaj të Brendshëm, me Kryeministrin, garant i manipulimit të zgjedhjeve. Besojmë se ne jetojmë në botë reale, e jo në botë ëndrrash. Nëse dikush na thotë se një anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mund të bëhet, me ekzistencën apo mosekzistencën e tij, garanti i zgjedhjeve të ndershme, apo manipulimit të tyre, mendoj se ka një sens humori shumë të lartë. Në Kodin Zgjedhor, neni 18 flet se kur ndërpritet mandati i një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mandati ndërpritet kur mbush moshën për pension, kur vdes, jep dorëheqjen nga detyra, apo kryen veprimtari politike. Asnjë prej këtyre kushteve nuk rezulton të përputhet me realitetin. Disbalancimi politik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e kthen automatikisht atë në një organ gati joligjor. Ne sapo miratuam ndryshimet në qeveri dhe z. Berisha mori një mandat tjetër, nëse mund ta quajmë kështu me ndryshimet që bëri në Qeveri, sepse u largua një parti. A po merret në konsideratë se sot Kryeministri, që do të futet në zgjedhje, mbahet në pushtet nga katër vota të Partisë Socialiste? Nëse ecim me këtë logjikë që operon PD-ja për KQZ-në, pra atë të disbalancimit politik, atëherë i bie që kemi një Kryeministër antikushtetues, i cili mbahet me katër vota, të cilat i takojnë Partisë Socialiste. Prandaj kjo lëvizje është paradhoma e asaj që qeveria dhe PD-ja kanë ndërmend të bëjnë: të manipulojnë zgjedhjet! Vetëm se e gjithë kjo histori e bën marrëdhënien midis votuesit dhe qeverisë problematike. Grusht shteti nuk është dalja e tankut në mes të bulevardit, pasi sot ka mënyra të ndryshme për ta bërë. Dhe një nga këto mënyra është të manipulosh zgjedhjet dhe ta bësh këtë në mes të ditës me diell. Kjo që po ndodh sot, faktikisht, është pikërisht mënyra më e hapur për t’ju thënë njerëzve që në këtë shtet nuk ka ligj, nuk ka Kushtetutë, nuk ka Kod Zgjedhor, po vepron vetëm ligji i më të fortit dhe zgjedhjet do të bëhen kështu siç duam ne. Kjo është rruga më e gabuar për t’u larguar nga pushteti.