E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri maqedonas Gruevski pret si hero lufte të burgosurin e dënuar për masakra ndaj shqiptarëve

12-04-2013 / Gazeta 55

Lirimi i parakohshëm i Tarçullovskit, ardhja e tij me avion të Qeverisë, pritja e tij si hero, është një vrasje e dyfishtë për familjarët e 10 lubotenasve të vrarë në oborrin e shtëpisë së tyre. Ndërsa analistët vlerësojnë se me këtë akt Qeveria e Maqedonisë bëhet bashkëpjesëmarrëse në krim

Me pritjet që i bëri Qeveria e Maqedonisë, Johan Tarçullovskit, të dënuar nga gjykata e Hagës për krime ndaj civilëve në fshatin Luboten, dëshmoi se edhe ajo është bashkëpjesëmarrëse në krim. Analisti Afrim Gashi thotë se ky veprim është një turp i madh i qeverisë. “Është një turp i madh që bën qeveria e Maqedonisë. Kjo definitivisht është një qeveri që e legalizon krimin. Janë viktimat e Lubotenit që  Johan Tarçullovski bashkë me këtë Qeveri do ti mbajnë në qafë sa të jetë jeta. Me këtë akt Qeveria e Maqedonisë bëhet bashkëpjesëmarrëse në krim”, tha Gashi për “Lajm”. Lirimi i parakohshëm i Tarçullovskit, ardhja e tij me avion të Qeverisë, pritja e tij si hero, është një vrasje e dyfishtë për familjarët e 10 lubotenasve të vrarë në oborrin e shtëpisë së tyre. Mevludin Bajrami, të cilit gjatë masakrës së Lubotenit i janë masakruar dy vëllezër thotë se kjo është një vrasje e dytë për ta. “Kjo është një vrasje e dytë për ne, por nuk kemi asgjë në dorë. Ne nuk mund të ndryshojmë asgjë. Në qeveri e kemi partinë tonë, e cila mund ta ndalonte të paktën dërgimin e avionit, por ata nuk bënë asgjë. Çfarë të them shumë keq është jo vetëm për ne, por për të gjithë shqiptarët”, tha Bajrami për “Lajm”. Qani Jashari, prind i dy djemve të vrarë thotë se djemtë e tij nuk do të kthehen kurrë. “Ai u lëshua tash, por djemtë e mi a do të kthehen. Jo ata nuk do të vijnë. Ç’ka kërkon ai këtu. Ai mi vrau djemtë dhe shkoi. Si ka vra dikush tjetër por ai. Ata s’kanë pasur asnjë faj, por mi kanë vrarë para shtëpisë”, tha ai. Banorëve të Lubotenit, plagët e të cilëve akoma nuk janë shëruar mirë, më e dhimbshme është fjala “hero” që përdoret për Tarçullovskin. “Si mund të jetë hero dikush që ka vrarë fëmijë dhe pleq të pafajshëm dhe të pambrojtur”, pyesin ata. “Për ne si fshat, por edhe mbarë popullatën shqiptare ai do të mbetet një kriminel që bëri masakër, vrau fëmijë dhe pleq të pafajshëm. Familjarëve ajo dhimbje nuk do të ju largohet asnjëherë. Pala maqedonase atë mund ta bëjë ministër apo kryeministër, por për neve ai gjithmonë do të mbetet një kriminel dhe faqezi”, tha Iljaz Bajrami, banor i fshatit Luboten. Tarçullovski rreth orës 15 arriti në aeroport me një avion Qeveritar. Për ta pritur kishte dalë edhe vetë kryeministri Nikolla Gruevski bashkë me një delegacion qeveritar, si dhe qindra njerëz për transportin e të cilëve ishin organizuar 50-të autobusë. Edhe 200 autobusë të tjerë janë angazhuar për të sjellë në Shkup, qytetarë nga qytete të tjera të Maqedonisë. Në qendër të Shkupit organizohet një koncert i madh për nder të Tarçullovskit. Johan Tarçullovski kaloi tetë vjet në burg, me çka vuajti dy të tretat nga dënimi prej 12 viteve që ia shqiptoi Tribunali i Hagës për pjesëmarrjen në masakrën e Lubotenit, në të cilën u vranë 10 civilë shqiptarë. Më 12 gusht të vitit 2001, një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit ndodhi masakra e Lubotenit ku u vranë: gjashtë vjeçari Erxhan Aliu, Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami, Atulla Qaili. U dogjën 14 shtëpi të fshatit, ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 shqiptarë.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Lajm”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›