E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një qasje fyese ndaj çështjes çame!

Mero Baze 2Nga Mero Baze

Kur shikon qindra qytetarë shqiptare me origjine çame para Kuvendit të Shqipërisë, dhe për më tepër retorikën e krerëve politikë të komunitetit çam për Kalin e Trojës në Kuvend, të krijohet ideja se ata gjenden para një problemi konkret të sabotuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Në të vërtetë i vetmi vend i papërshtatshëm për të protestuar nga komuniteti çam është Kuvendi. Nga ajo ndërtesë nuk ka pasur kurrë ndonjë refuzim për kërkesat e tyre. Në të gjitha rastet, ata që kanë hezituar të votojnë pro Çamërisë apo problemeve të tyre janë kryeministrat e Shqipërisë. Fatos Nano më 2004-ën dhe Sali Berisha më 2013-ën po e përdorin problemin e komunitetit çam si një rast për të rritur respektin e tyre në sytë e Greqisë. Dhe në këtë pikë ata që ia ngrenë pazarin qeverive shqiptare janë pikërisht përfaqësuesit politikë të komunitetit çam në Shqipëri.

Në vitin 2004, kur u bë protesta e parë e komunitetit çam para Kuvendit të Shqipërisë, nuk kishte ende një parti të komunitetit çam, por pas asaj lëvizjeje u formua. Në atë kohë rezoluta do të miratohej me konsensus, por dy ditë para kryeministri Nano ndryshoi mendje dhe rezoluta mori vetëm votat e PD dhe disa deputetëve socialistë si Sabit Brokaj, Dritan Prifti, Skënder Gjinushi, etj.

Abstenuesit natyrisht ishin më shumë dhe kështu të gjitha palët i hynë një interpretimi politik nëse rezoluta quhej e miratuar apo jo. Për konsum të brendshëm palët thoshin që u miratua, kur i pyesnin të huajt, thoshin jo, dhe kur takoheshin me grekët, natyrisht thoshin që e rrëzuan. Problemi ishte tek qeveria, por për shkak të lidhjeve të forta të shumë pjesëtarëve të përfaqësuesve të komunitetit çam me Fatos Nanon, ata nuk e bënë kurrë problem këtë gjë. Biles kreu i sotëm i Partisë së Çamëve, Idrizi, që në atë kohë ka qenë njeriu më i afërt i Fatos Nanos si Drejtor i Përgjithshëm i Doganave, nuk ka as kujtesë vizive për atë histori.

E njëjta histori po përsëritet sot. Sali Berisha u soll rrotull duke mos folur për rezolutën derisa më në fund një mizantrop i tij gjeti si zgjidhje faktin që PD-ja e kishte miratuar një herë këtë rezolutë më 2004-ën. Edhe në këtë rast teatri vazhdon. PD dhe vetë Berisha po përpiqen të fitojnë simpati tek pala greke, por dhe diplomatë ndërkombëtarë, me këtë çështje si të moderuar, ndërsa Partia e Çamëve, në vend që ti çojë njerëzit para kryeministrisë, aty ku është problemi, i çon para Kuvendit, aty ku askush nuk ka asnjë përgjegjësi për atë që po ndodh.

Vetë Partia e Çamëve është pjesëtare e qeverisë dhe po rimerr dhe poste të lëna bosh nga LSI, dhe nga ana tjetër e vetmja hezituese për votimin e rezolutës është vetë qeveria ku bën pjesë Idrizi dhe Muhedini. Së paku për respekt të komunitetit çam, të cilin krerët politikë po duket sikur po e gënjejnë më shumë se Berisha, ata duhet të dalin nga qeveria dhe të bllokojnë me dy votat e tyre çdo nisëm politike të qeverisë këto dy muaj që kanë mbetur. Kjo së paku mund tu japë atyre legjitimitet si përfaqësues politikë të një komuniteti, të cilin qeveria po e përdor për të rritur prestigjin dhe simpatinë e saj në sytë e politikës zyrtare të Athinës dhe për të frenuar me këtë rast ndonjë sulm ndërkombëtar për çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri.

E gjitha çfarë po ndodh është një tallje e madhe me Çamërinë dhe çështjen e tyre për ca poste drejtorësh në këtë fund pushteti dhe një ngritje topi për qeverinë, që të duket e moderuar në sytë e diplomacisë greke dhe lidhjeve të saj ndërkombëtare.

Historia është shumë e thjeshtë. Rezoluta për Çamërinë duhet të jetë e tillë që duhet të miratohet me konsensus nga PS-ja dhe PD-ja. Ajo duhet të jetë e mbështetur mbi Traktatin e Miqësisë Shqipëri- Greqi dhe të rrezatojë frymën e politikës së jashtme shqiptare në rajon. Çamëria nuk është një çështje që mund ta zgjidhë një parti, as PD dhe as PS, nëse nuk është një konsensus kombëtar. Idrizi dhe gjithkush tjetër, nëse duan ta çojnë para këtë çështje, duhet të punojnë për të siguruar konsensus të brendshëm politik për këtë çështje, dhe mbi bazën e këtij konsensusi të çojnë atë përpara dhe jo ta përplasin përgjegjësinë mbi Çamërinë mbi çdo parti opozitare në Shqipëri, që ia miraton rezolutat, dhe të heshtë ndaj çdo kryeministri që e fut atë në sirtarë për shkak të lidhjeve me ta. Bile dhe kërkesa për të verifikuar legjitimitetin e rezolutës së 2004-ës është qesharake. Ajo është një rezolutë e abstenuar nga 55 vota deputetësh dhe nuk duhet pranuar së pari nga vetë komuniteti çam. Çamëria ka nevojë për një qëndrim unik të politikës shqiptare, në atë shkallë që ajo është gati të japë konsensus për Çamërinë. Ndryshe nuk kemi pse gënjejmë veten dhe nuk e avancojmë dot më tej këtë çështje.

Një rezolutë për Çamërinë, e miratuar vetëm nga një palë, në rastin konkret Partia Socialiste, i bën më shumë dëm se nder çështjes çame, pasi e paraqet atë si një çështje pakicash dhe në Shqipëri, ndërkohë që avancimi i saj kërkon konsensus kombëtar. Ky duhet të jetë objektiv konkret i përfaqësuesve politikë të komunitetit çam, dhe jo shkëmbimi i ndereve, drejtorive apo komisionerëve për zgjedhje me një firmë fiktive mbi një copë letër për tu përdorur politikisht për ca vota çamësh më shumë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›