A e kemi mposhtur plakjen?

Nëse parashikimet e Aubrey De Grey janë të sakta, personi i parë, i cili do të jetojë 150 vjet, tashmë ka lindur. Dhe personi i parë i cili do të jetojë 1 mijë vjet, mund të jetë më pak se 20 vjet më i ri se ai.
Si gjerontolog bio-mjekësor dhe shkencëtari kryesor në Fondacionin, i cili merret me hulumtimin e jetëgjatësisë, De Grey thotë se ende gjatë kohës sa të jetë ai gjallë, mjekët mund të kenë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme, për të “shëruar” plakjen-duke parandaluar sëmundjet që vijnë me të dhe duke e zgjatur jetën deri në pafundësi.
“Them se gjasat tona janë 50 me 50 që të vendosim plakjen nën atë që unë e quaj nivel vendimtar të kontrollit mjekësor brenda 25 apo diçka më tepër viteve”, deklaroi De Grey në një intervistë, para se të mbante një ligjëratë në Institutin Mbretëror të Britanisë.
“Dhe kur them vendimtar, nënkuptoj të njëjtin lloj të kontrolleve mjekësore, të cilave ju nënshtrohemi sot me rastin e sëmundjeve infektive”, shtoi ai.
De Grey parashikon kohën, kur njerëzit do të shkojnë të mjeku për “mirëmbajtje” të rregullt, e që deri atëherë do të përfshijë terapinë e gjeneve, terapinë e qelizave ëmë, nxitje të imunitetit dhe një varg teknikash tjera të avancuara mjekësore, të cilat ata do t’i mbajnë në gjendje të mirë.
De Grey jeton afër Universitetit të Cambridgit, ku ka doktoruar në vitin 2000 dhe është shkencëtari kryesor në organizatën SENS, me seli në Kaliforni, bashkëthemelues i së cilës ishte në vitin 2009.
Ai e përshkruan plakjen si një akumulim gjatë jetës të llojeve të ndryshme të dëmtimeve molekulare dhe qelizore në organizmin e njeriut.
“Ideja është që të angazhohemi në atë që mund të quhet gjeriatri parandaluese, me ç’rast ju herë pas here shkoni për të riparuar dëmet molekulare dhe qelizore, para se ato të arrijnë nivelin e bollëkut që është patogjenik”, shpjegoi De Grey.
Saktësisht se deri ku dhe me çfarë shpejtësie do të rritet jetëgjatësia në të ardhmen është temë e debatit, por trendi është i qartë. Aktualisht, mesatarisht nga tre muaj për çdo vit i shtohen jetëgjatësisë dhe ekspertet vlerësojnë se deri në vitin 2030, në botë mund të ketë 1 milionë persona mbi moshën 100 vjet.
Deri me sot, njeriu që ka jetuar më së shumti ka vdekur në moshën 122 vjeçare dhe në vitin 2010, vetëm në Japoni kishte 44 mijë persona mbi 100 vjet.
Idetë e De Greyt duken si tejet të guximshme, por shpërblimi prej 20 mijë dollarë, i ofruar në vitin 2005 nga Instituti i Massachusettsit për Teknologji, për biologët molekularë, të cilët dëshmojnë se teoria e Greyit “është aq e gabuar, sa nuk ja vlen të debatohet për të”, nuk është ndarë kurrë.
Për disa, mundësia për të jetuar qindra vjet nuk është edhe gjithaq joshëse, pasi që ajo ofron një pamje për një gjeneratë të njerëzve të moshuar, të sëmurë dhe të dobët, gjithnjë e më të paaftë për t’u përshtatur në shoqëri.
Por De Grey thotë se nuk është duke punuar për një gjë të tillë. Vëmendja kryesore është që të mbahen nën kontroll sëmundjet vrasëse të moshës së shtyrë.
“Absolutisht nuk bëhet fjalë që të mbahen gjallë njerëzit, që janë në gjendje të keqe shëndetësore. Kjo ka të bëjë që të parandalohet sëmurja e njerëzve si pasojë e moshës së shtyrë. Terapitë e veçanta, të cilat jemi duke zhvilluar, do të mundësojnë një jetë të gjatë, si efekt dytësor i ofrimit të shëndetit më të mirë”, theksoi ai.
De Grey dëmin e shkaktuar nga plakja e ndan në shtatë kategori kryesore, për të cilat duhet të zhvillohen teknikat për riparim, nëse dëshirohet që të bëhet realitet parashikimi i tij për mirëmbajtje të vazhdueshme.
Ai nënvizon se përderisa për disa kategori shkenca ende është në fazat fillestare, ka kategori tjera, në të cilat është gati të arrijë në cak.
“Terapia e qelizave amë është pjesë e madhe e kësaj. Është e dizajnuar të zhbëjë çfarëdo lloji të dëmeve, më saktë humbjen e qelizave kur ato vdesin dhe kur nuk zëvendësohen automatikisht dhe tashmë janë duke u zhvilluar teste klinike te njerëzit”, tha ai.
Sëmundjet kardiovaskulare janë vrasësit më të mëdhenj që ndërlidhen me moshën dhe De Grey thotë se ende duhet punë në këtë punë, por shton se hulumtuesit e kanë gjetur shtegun, i cili duhet të ndiqet.
Sëmundjet e zemrës, të cilat shkaktojnë dështimin e zemrës dhe sulmet në zemrës ndodhin si rezultat i asaj, që De Gray e quan akumulim të llojeve të caktuara të “mbeturinave molekulare”-prodhime anësore të procesit të metabolizmit të organizmit-të cilat trupi jonë nuk është në gjendje t’i thyej apo t’i sekretojë.
De Grey është duke punuar me kolegët e tij në SHBA në identifikimin e enzimave në llojet tjera, të cilat mund të thyejnë këto mbeturina dhe të pastrojnë qelizat-e më pas synimi është që të zbulohen terapi gjenetike, për t’ia bartur këto kapacitete edhe njeriut.
De Grey ngurron të bëjë parashikime të sakta për atë se sa gjatë do të jetojnë njerëzit në të ardhmen, por thotë se me secilin përparim të madh në fushën e jetëgjatësisë, shkencëtarët do të kenë më shumë kohë për të arritur përparime edhe më të mëdha shkencore.
Sipas tij, kjo nënkupton se personi i parë që do të jetojë 1 mijë vjet, do të lindë për më pak se 20 vjet pas personit të parë, i cili do të arrijë 150 vjet.
“Ajo që parashikojmë aktualisht, për atë se sa do të jetojnë njerëzit, nuk është absolutisht asgjë, ngase kjo do të përcaktohet nga rreziqet tjera që shkaktojnë vdekjet, si për shembull aksidentet. Por vërtetë nuk duhet të ketë kufij të vendosur nga ajo se para sa kohësh keni lindur. I tërë qëllimi i mirëmbajtjes është që ajo të funksionojë deri në pafundësi”, nënvizoi De Grey. (Reuters)