A e kreu detyrën?
Pikërisht një vit më parë, Atifete Jahjaga kishte hyrë e qetë në sallën e Parlamentit të Kosovës për t’u zgjedhur në krye të shtetit.
Derisa testin në Parlament e kishte kaluar pa ndonjë pengesë, për shkak të marrëveshjes politike mes Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Behgjet Pacollit, të ndërmjetësuar nga ambasadori amerikan Christopher Dell, Jahjaga po i hynte një rruge të re në karrierën e saj dhe me shumë të panjohura për të.
Ajo çfarë ka rënë në sy më së shumti nga numri një i shtetit deri më tani janë udhëtimet që ka pasur, e të cilat nuk kanë sjellë ndonjë dobi të madhe për vendin, daljet e saj nëpër evenimente të ndryshme, ku ka lexuar fjalime si dhe mbyllja hermetike ndaj pyetjeve të gazetarëve.
Por, cilat janë vlerësimet e analistëve dhe të politikanëve për Jahjagën në krye të shtetit?
Analisti Shkëlzen Maliqi ka thënë se Jahjaga ka arritur të krijojë një profil, të cilin ai e quan të pranueshëm për opinion, sidomos atë ndërkombëtar.
“Si politikane e re, që nuk ka pasur gati kurrfarë përvoje, shumë shpejt ka krijuar një profil të pranueshëm dhe i ka shërbyer Kosovës më shumë në kontaktet me botën. Mendoj që ajo e ka kaluar atë test”, ka thënë Maliqi të premten për Express.
“E di që ka pasur shumë kritika, sidomos në fillim. Por, mendoj që e ka përmirësuar shumë imazhin e Kosovës”, ka shtuar ai.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Express)