E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vriten mbi 100 pjesëtarë të Al-Qaeda’s?

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme të Jemenit, luftimet e forcave qeveritare me pjesëtarët e rrjetit të Al-Qaeda’s u zhvilluan në krahinat Abyan dhe Lahij. Pohimi i ministrisë për vrasjen e mbi 100 pjesëtarëve të Al-Qaeda’s, deri të premten nuk është konfirmuar nga ndonjë burim i pavarur.

Gjatë dy ditëve të kaluara në jug të vendit u zhvilluan luftime të ashpra mes forcave qeveritare të Jemenit dhe grupeve të armatosura, si pasojë e të cilave janë vrarë më shumë se 100 pjesëtarë të rrjetit Al-Qaeda, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Jemenit, që u publikua të premten nga agjencitë e lajmeve.

Luftimet u zhvilluan në krahinat Abyan dhe Lahij, njoftoi agjencia a lemave AP, sipas së cilës, të dhënat nga Ministria e Brendshme e Jemenit të premten nuk mund të konfirmoheshin nga ndonjë burim i pavarur. Paraprakisht, agjencia amerikane e lajmeve kishte njoftuar se gjatë ditëve të fundit në jug të Jemenit ishin vrarë të paktën 50 pjesëtarë të rrjetit Al-Qaeda.

Mirëpo, megjithëse kumtesa e ministrisë nuk përmban shumë detaje, por vetëm, sqaron se luftëtarët e grupeve militante po luftojnë me qëllim që të rigrupohen afër detit, numri i viktimave që përmendet e tejkalon dukshëm atë prej 43 “terroristëve të dyshuar’, që ushtria jemenase i raportoi si të vrarë të hënën dhe të martën.

Nga ana tjetër, sipas pohimeve të përfaqësuesve të institucioneve në Abyan, gjatë një aksion ajror të forcave qeveritare mbi pozicionet e militantëve islamikë afër qytetit Jara, ditën e enjte janë vrarë 10 pjesëtarë të grupit Ansar al-Sharia (Partizanët e Sheriatit).

Ky grup militant është nëndegë e ‘Al-Qaeda’s në Gadishullin Arabik’, i cili i ka forcuar dukshëm pozicionet e tij në jug të Jemenit pas kryengritjes gjithëpopullore kundër presidentit, Ali Abdullah Saleh.

Agjencitë e lajmeve ndërkohë pohojnë se situata në krahinat jugore të Jemenit vetëm sa po ashpërsohet, pasi që në muajin shkurt postin e presidentit të Jemenit u mori përsipër Abd Rabbu Mansour Hadi, i cili menjëherë premtoi se do të udhëheqë një luftë të pakompromis kundër grupeve terroriste në vend.

Sulmi i dështuar vetëvrarës

Dy sulmues të dyshuar vetëvrasës me bomba kanë humbur jetën të premten në qytetin Aden, në jug të Jemenit, pasi që pakoja e tyre bombë shpërtheu derisa ata ende ndodheshin mbi një motoçikletë, para ndërtesës së Zyrës së Sigurimit të Shtetit, e cila edhe ishte cak i sulmit të dy sulmuesve vetëvrasës, njoftoi të premten Ministria e Mbrojtjes e Jemenit.

"Dy sulmuesit vetëvrasës me bomba, që ishin anëtarë të Al-Qaeda’s, kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të motoçikletës së tyre”, thuhet në kumtesën e ministrisë, derisa sqarohet se në vendngjarje nuk pati viktima të tjera.

Motoçikleta në të cilën ndodhej mjeti shpërthyes kishte shpërthyer pa plan, dhe si pasojë trupat e dy sulmuesve ishin shkatërruar plotësisht, para se të arrinin që mjetin shpërthyes ta fusnin brenda ndërtesës së agjencisë së sigurimit, në Mansouri, njoftoi agjencia franceze AFP.

Ministria e Brendshme e Jemenit ndërkaq nënvizoi se njëri prej dy sulmuesve vetëvrasës, që u identifikua si Fawaz al-Subaihi, jetonte në të njëjtën lagje ku ndodhej edhe zyra që synonte ta shkatërronte.

Një prej dëshmitarëve deklaroi e njihte Subaihi’n, sepse ky i fundit kishte një shitore. Mirëpo, sipas dëshmitarit, Subaihi nuk kishte asnjë lidhje me Al-Qaeda’n. I njëjti dëshmitar pohoi se trupi i sulmuesit tjetër ishte e pamundur që të identifikohej, ngase ishte shkatërruar plotësisht i shkatërruar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›