Dell: Të gjitha partitë e korruptuar, veç në shkallë të ndryshme

Këto komente ai i bëri në intervistën për të përditshmen "Kosova Sot". “Mendoj se ky është problem me tërë shoqërinë, ky problem ngërthen shumë individë të ndryshëm në partitë politike, e jo doemos udhëheqësit”, ka thënë Dell, transmeton telegrafi.
Sipas tij, “fakti se ligji është në Kuvend dhe partitë nuk po ndërmarrin veprim sugjeron që ajo që kam thënë është shumë e saktë. Të gjitha partitë janë pjesë e problemit”, tha Dell.
Ai ka theksuar se gjëja më e rëndësishme, që duhet të ndryshojë në Kosovë është pritjet e shoqërisë në lidhje me korrupsionin.
“Së pari, shoqëria duhet ta marrë përsipër të ndryshojë sjelljen e vet në çdo nivel: prej udhëheqjes e deri te qytetari i rëndomtë. E dyta, qytetarët duhet ta përdorin fuqinë e tyre nëpërmjet votës për ndryshim; ta përdorin atë votë për t’u marrë me problemin e korrupsionit. Kështu do të duhej të funksionojë kjo gjë në demokraci”, ka thënë Dell.