E Shtunë, 31 Tetor 2026

A është Europa mbi ëndërr?

13-12-2011 / Nga Ian Buruma

Pas të gjithash, a ishin euroskeptikët ata që kishin të drejtë? A pati ëndrra për një Europë të bashkuar – frymëzuar nga frika e një lufte tjetër europiane dhe e mbështetur nga shpresa idealiste që ideja e shteteve – kombe ishte vjetruar tashmë duke ia lënë vendin qytetarëve të mirë europianë – një fund utopik? E parë në mënyrë sipërfaqësore, kriza aktuale e Europës, prej të cilës disa njerëz parashikojnë shpërbërjen e Bashkimit Europian, është financiare. Jacques Delors, një nga arkitektët e krijimit të euros, tani pohon se ideja e tij për një monedhë të përbashkët ishte e mirë, por që "implementimi" i saj pati të meta, sepse vendeve të dobëta iu lejua të marrin shumë hua. Por, në thelb, kriza është politike. Kur shtetet sovrane kanë monedhën e tyre, qytetarët duhet të jenë të gatshëm të shikojnë se si paratë e tyre, që ia japin shtetit nëpërmjet taksave, shkojnë në rajonet më të dobëta. Kjo është një shprehje e solidaritetit kombëtar, një ndjenjë që qytetarët e një vendi i përkasin një komuniteti të  përbashkët dhe janë të përgatitur, në një krizë, të sakrifikojnë interesat e tyre për të mirën kolektive.
Por në shtetet-komb, kjo nuk është gjithmonë e vetëkuptueshme. Shumë italianë të pjesës veriore të Italisë nuk kuptojnë pse duhet të paguajnë ata për pjesën e varfër jugore të Italisë. Flamandët e pasur në Belgjikë së fundmi iu duhet të mbështesin (me të ardhura) Valonët e papunë. Megjithatë, në tërësi, ata zakonisht pranojnë solidaritetit ekonomik si pjesë e bashkimit kombëtar. Duke qenë se BE-ja nuk është as një shtet-komb as një demokraci, nuk ka “qytetarë europianë” që ta shikojnë BE-në si një e tërë, e cila  po kalon kohë të vështira. Gjermanët dhe holandezët e pasur nuk duan të paguajnë për rrëmujën ekonomike në të cilën ndodhen grekët, portugezët ose spanjollët.
Në vend që të tregojnë solidaritet, ata fillojnë e bëjnë  moral, sikur të gjitha problemet në Europën Mesdhetare kanë ardhur si pasojë e përtacisë vendase apo e natyrës së qytetarëve të saj “të korruptuar”. Si rezultat, moralizuesit (ata që bëjnë moral) rrezikojnë të shembin çatinë e përbashkët europiane, çati që po të shembet i bie mu në kokë Bashkimit Europian, duke u  përballur me rreziqet nacionaliste, parandalimi i të cilave qe dhe arsyeja e krijimit të BE-së.
Europa duhet të ndreqet sa financiarisht po aq edhe politikisht. Mund të jetë një klishe, por megjithatë e vërtetë, se BE-ja vuan nga një “deficit në demokraci”. Shtetet-kombe nuk janë vetëm ato që kanë një kulturë të vetme apo një gjuhë. Mendoni këtu për Zvicrën apo Indinë. Nuk është e thënë patjetër të kenë demokraci, sepse janë apo nuk janë shtete-kombe, ose mund të përmenden këtu: Kina, Vietnami apo Kuba. Por ajo që kërkon  një demokraci është ndjenja e përkatësisë së qytetarëve. Por, a është kjo e mundur në një organizëm supra(mbi)-nacional si BE-ja? Nëse përgjigja është jo, atëherë do të qe më mirë të rivendosej sovraniteti individual i shteteve-kombe europiane, të hiqej dorë nga monedha e përbashkët dhe të braktisej ëndrra që po kërcënon të bëhet një makth. Kjo është ajo që mendojnë euroskeptikët më radikalë në Britani, që kurrë nuk ndanë me të tjerët këtë ëndërr mbi BE-në. Megjithatë do të ishte mjaft e lehtë ta quaje të gjithë këtë si një shovinizëm britanik – një qëndrim ishullor i njerëzve që jetojnë në një ishullim të shkëlqyer. Por, në mbrojtje të Britanisë mund të thuhet se qytetarët e saj kanë pasur një histori më të gjatë dhe më të suksesshme demokracie se sa shumica e europianëve kontinentalë.
Prapëseprapë , edhe në qoftë se do të arrihej deri në shpërbërjen e Europës, kjo do të kishte kosto të mëdha. Braktisja e euros, për shembull, do të dëmtonte sistemin bankar të kontinentit, duke prekur si Gjermaninë ashtu edhe vendet e pasura në veri të saj si edhe vendet e shqetësuara në jug. Dhe, në qoftë se ekonomitë greke dhe italiane kanë vështirësi për ta rimarrë veten brenda eurozonës, merrni me mend se sa e vështirë do të ishte për ta, të shlyenin borxhet në euro me dhrahminë apo lirën e zhvleftësuar tashmë. Duke qëndruar larg aspektit financiar, do të ishte një rrezik real të hidhje tej përfitimet që BE-ja ka sjellë, sidomos në terma të pozicionimit të Europës në botë. Të izoluara, vendet evropiane do të kishin rëndësi të kufizuar globale. E bashkuar, Evropa përfaqëson një pjesë të rëndësishme të botës. Alternativa tjetër përballë shpërbërjes së BE-së është forcimi  i saj – të bashkohet borxhi dhe të krijohet një thesar europian. Edhe nëse qytetarët europianë bien dakord me këtë zgjidhje, megjithatë, BE-ja ka nevojë për më shumë demokraci. Por kjo varet nga një ndjenjë vitale solidariteti europian, e cila nuk do të vijë nga himnet, flamujt, apo marifete e tjera të hartuara nga burokratët në Bruksel. Si fillim, europianët e pasur veriorë duhet të binden se forcimi i BE-së është në interesin e tyre. Në fund të fundit, janë ata që kanë përfituar më shumë se të gjithë nga euro, e cila u ka mundësuar atyre të eksportojnë mjaft lirë në jug të Europës. Ndërsa është në dorë të politikanëve kombëtarë për të bërë që institucionet qeverisëse të BE-së në Bruksel, Luksemburg dhe Strasburg të jenë më afër qytetarëve europianë.
Ndoshta europianët mund të votonin për anëtarët e Komisionit Europian, me kandidatë që do të bënin fushatë edhe në vende të tjera, jo vetëm në vendet e tyre. Ndoshta evropianët mund të zgjidhnin një president. Demokracia mund të dukej si një ëndërr e çmendur në një komunitet prej 27 vendesh dhe ndoshta është e tillë. Por nëse një njëri do të  ishte i gatshëm të heqë dorë nga diçka për ndërtimin e një Europe më të bashkuar, kjo do të ishte me siguri një vlerë e konsideruar.
E kush mund të thotë se çfarë është e mundur? Po marrim si shembull klubet e futbollit, më të veçuarit e botës moderne, madje edhe se institucionet tribale. Tridhjetë vjet më parë, kush do ta kishte imagjinuar se dy prej klubeve më të njohura të Londrës - Arsenal dhe Çelsi - do të kishin respektivisht një francez dhe një portugez si trajner  dhe lojtarë nga Spanja, Franca, Portugalia, Brazili, Rusia, Serbia, Republika Çeke, Polonia, Meksika, Gana, Koreja e Jugut, Holanda, Belgjika, Nigeria dhe Bregu i Fildishtë? Oh, po, janë edhe një ose dy nga Britania, gjithashtu.

Ian Buruma është profesor i Demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut në Kolegjin Bard dhe autor i “Zbutja e zotave: Feja dhe Demokracia në tre kontinente”.
Marrë nga Project-Syndicate.com

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›