Bregu: Opozita të tregojë seriozitet për integrimin e vendit. Sequi: Vullneti politik ekziston, të hidhen hapa konkretë
Komisioni Parlamentar i Integrimit miraton Planin e Veprimit për 12 rekomandimet
Anëtarët e Komisionit Parlamentar të Integrimit, të mazhorancës dhe opozitës, në shumicë absolute u shprehën dje të gatshëm të bashkëpunojnë për rishikimin e Planit të Veprimit, plan ky që përcakton të gjitha iniciativat dhe hapat e ndërmarrë nga qeveria dhe institucionet për përmbushjen e 12 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Europian për Shqipërinë.
E ftuar në këtë komision, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu prezantoi dy mënyra për bashkëpunim konkret opozitë-mazhorancë, duke i lënë mundësi zgjedhjeje opozitës për të vendosur, por duke këshilluar vendosjen e një afati kohor për çdo hap të hedhur, pasi sipas, dërgimi i Planit të Veprimit në Bruksel duhet të bëhet brenda shkurtit të vitit të ardhshëm.
“Pas letrës së parë që e kemi sjellë vitin e kaluar, drejtuar kryetares së atëhershme, Meksi ku kërkonim bashkëpunim për monitorimin e Planit të Veprimit dhe që s’morëm asnjë përgjigje, e kemi përsëritur dhe po e rikonfirmojmë këtë ftesë tani, kur klima politike ka ndryshuar dhe ku opozita është shprehur se do të jetë bashkëpunuese në këtë proces”, u shpreh ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, duke kërkuar seriozitet nga opozita, për çështjen e integrimit të vendit në BE. B
regu tha se Ministria e Integrimit ka ngritur tashmë grupin e punës për rishikimin e planit të veprimit.
Duke sqaruar modelin e parë të bashkëpunimit mes dy kampeve politike, Bregu theksoi se “për çdo prioritet ne kemi caktuar një institucion, është mënyra me të cilën është monitoruar deri tani Plani i Veprimit. Pra, si institucion përgjegjës ju shihni Qeverinë ose Ministrinë respektive që është përgjegjëse për propozimet apo detyrimet e saj dhe në këtë grup pune do të ketë përfaqësues nga ministritë, institucionet dhe shoqëria civile, të angazhuar për plotësimin e prioriteteve. Me mënyrën e parë, roli i Ministrisë së Integrimit është koordinimi dhe mbështetja, ndërsa ai i komisionit është shqyrtimi i planit të veprimit dhe monitorimi për zbatimin e tij. Ne shqyrtojmë, monitorojmë, sjellim materialin tek ju për komente, komentet merren dhe pasqyrohen në Komisionin Ndërministror të Integrimit për të mbërritur në një miratim të sugjerimeve tona të përbashkëta dhe për ta miratuar bashkërisht”, tha ajo.
Lidhur me modelin e dytë, ministrja Bregu theksoi se rishikimi i planit mund të bëhet në mënyrë të përbashkët mes Ministrisë dhe Parlamentit, kryesisht mes komisionit parlamentar të integrimit, do të jetë ky komision që do të jetë përgjegjës për rishikimin dhe përmirësimin për prioritete nga 1 deri 5 që kanë të bëjnë me jetën parlamentare. “Këtu drejton komisioni i integrimit dhe do të ketë ndihmën teknike të strukturave tona. Procesi i punës për prioritetet nga 6 deri në 12, do të drejtohet nga Ministria e Integrimit, sepse këto prioritete kanë të bëjnë me masat e marra nga institucione dhe agjenci qeveritare”.
Prezantimi i këtyre dy mënyrave u shoqërua me debate konstruktive nga të dyja palët e pranishme në komision. Komisioni vendosi unanimisht që për rishikimin e planit të veprimit të zgjidhej modeli i parë i bashkëpunimit, që i jepte opozitës rolin e monitorueses nëpërmjet Komisionit të Integrimit. I pranishëm në komision, ambasadori i delegacionit të KE-së Ettore Sequi, shprehu kënaqësinë për arritjen e konsensusit duke thënë se më e rëndësishme ishte arritja e institucionalizimit të hapave që do të hidhen në vazhdim për adresimin e 12 prioriteteve që i kërkohen Shqipërisë.
“Vullneti politik ekziston, ajo që duhet tani është hedhja e hapave konkretë në këtë proces. Kjo lidhet me përgjegjësinë tuaj si komision dhe rritjen e kapaciteteve për ta përballuar këtë angazhim. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar, por aspirata për integrim është e juaja”, tha ambasadori, Sequi.