Pak nacionalizëm ekonomik nuk na bën dëm
Javën e shkuar, Parlamenti i Republikës së Kosovës miratoi Mocionin që obligon institucionet e Kosovës të vënë masa të reciprocitetit me Serbinë në të gjitha fushat, një nismë kjo shumë pozitive, por edhe skaj mase e vonuar. Disa deputetë, madje, duke dëshiruar të tërheqin votën e tyre për mocionin në emër të një gabimi, pranuan që të përulin veten dhe integritetin personal vetëm e vetëm për t’i bërë shërbim partisë, ku aderojnë dhe “tradhti” mendjes e votës së tyre. Në këtë lëmsh stërkëmbësh parlamentare e politike kosovare, të cilat po i shtojnë faturën e dëmit vendit tonë, debati publik e harroi njërën nga pikat më kryesore të atij mocioni, atë që thërrasë për ndërtimin e një strategjie për të ndihmuar institucionalisht prodhimin vendor dhe prodhuesit vendorë. Pak nacionalizëm ekonomik nuk na bën dëm, ashtu siç nuk po u bën dëm as edhe shteteve të tjera evropiane, që me çdo kusht mbrojnë interesat e qytetarëve dhe bizneseve të tyre. Por, një politikë e cila mbron interesat e qytetarëve dhe ekonomisë vendëse, do të duhej të ishte prioritet kombëtar, dhe jo çështje e një partie politike apo e një qeverie të vetme.
Së pari, zhvillimi i prodhimeve vendore dhe përkrahja e biznesmenëve vendorë është një hap i drejtë dhe i vetmi i qëndrueshëm për zhvillimin e vendit dhe për një ekonomi të tregut të lirë. Përderisa Franca në vazhdimësi subvencionin bujqësinë, duke mbrojtur prodhuesit e vet, dhe tash Britania e Madhe madje edhe refuzon të rimodelojë marrëveshjen e Euro-s, sepse ajo mund të rrezikojë sistemin financiar vendës, Qeveria e Kosovës deri më sot bizneseve vendore vetëm u ka vjedhur para në emër të sigurimit të mbijetesës dhe i ka shkatërruar kur i është dhënë mundësia e parë.
Si mund të interpretohet ndryshe fakti se sot kemi më shumë se 50 mijë ndërmarrje të regjistruara, ndërsa diku as gjysma e tyre nuk veprojnë, përveç se me tradhëtim të biznesit vendës nga institucionet që udhëheqin me vendin. Si rikujtim, Serbia, me të cilën po shtyhen ditëve e muajve të fundit, tash e shumë vite ofron grante qeveritare për bizneset që kanë ide për t’u zhvilluar. Te ne, shteti ka ndihmuar në mbylljen e bizneseve vendëse dhe njëkohësisht ka hapur dyert gjerë e gjatë për produktet serbe, maqedonase e të tjera, për t’i gjunjëzuar edhe ata prodhues e biznesmenë që mbetën gjallë. Për këtë arsye, masat e reciprocitetit tregtar, të kërkuara nga Parlamenti, tash janë të vonshme. Kërkesa erdhi tashmë kur mallrat serbe, në saje të biznesmenëve të pacipë kosovarë, të lidhur me politikën dhe pushtetin, kanë zënë vendin nëpër dyqanet e shtëpitë kosovare. Kanë zënë një vend aq të fuqishëm sa nga aty të mos mund t’i lëvizë asnjë vendim dhe asnjë masë qeveritare. Aq e lehtë është kjo punë sa që s’ka nevojë për të bërë gjë tjetër për t’i mbajtur ato në treg veçse për të ndërruar vendin e origjinës me atë të një shteti tjetër. E vetmja mundësi për të mbrojtur vendin nga pushtimi ekonomik serb, është vetëdijesimi i qytetarëve për të mos blerë këto produkte.
Qeveria, nga ana tjetër, do të vazhdojë të mbajë veshët mbyllur, ashtu siç ishte treguar e shurdhër edhe ndaj iniciativave të kaluara. Jo për shkak të kërkesave dhe nevojës së konsumatorit, por për shkak të nevojave spekulative e korruptuese të biznesmenëve dhe të politikës. Në vitin 2000, disa biznesmenë kosovarë ishin mbledhur dhe kishin rënë në pajtim që për shkak të vrasjeve, dhunës e përndjekjes sistematike të shtetit serb ndaj kosovarëve, të mos importonin mallra nga atje. Ujdia nuk zgjati shumë dhe u prish nga disa që sot janë bërë aq të mëdhenj sa ta dirigjojnë politikën, Parlamentin e shtetin, qoftë nga brenda tyre, qoftë nga jashtë. Në vitin 2003, e pata kuptuar se qeveritarët tanë, disa prej tyre edhe sot në pushtet, nuk e kuptojnë fare se çfarë është reciprociteti dhe se për çfarë shërben ai. Atëbotë, kur u kërkoja që vendi ynë të zbatojë reciprocitetin mbi tregun ajror dhe të fluturimeve, po këta politikanë më shikonin me injorancë, naivitet. Sot, edhe po qe se e kuptojnë këtë, për gjithçka është vonë dhe ne asnjëherë nuk do të kemi mundësi të menaxhojmë në këtë fushë. Në atë kohë, kam qenë ndër të parët që kam paraqitur kërkesën për masa reciproke në ekonomi, sot kësaj çështjeje i janë bashkangjitur edhe shumë të tjerë, por me shumë vonesë. Sot, injoranca e dikurshme e politikanëve, është bashkuar edhe me apetitet korruptive, që e bën zbatimin e këtyre masave të parealizueshëm. Kësisoj, përderisa qeveritarët t’i kenë të ndërlidhura interesat korruptuese me këshilltarë e konsorciume të huaja dhe jo raporte fer me bizneset kosovare, jo vetëm reciprociteti por as zhvillimi ekonomik i vendit nuk do të ketë shans. Nuk do ta kuptoj kurrë se për çfarë arsyesh pengojnë biznesin vendor, stimulojnë atë serb, ndërsa mbyllin dyert hermetikisht për partnerë të mëdhenj dhe strategjikë evropianë. Duhet të jetë në pyetje paraja dhe korrupsioni.